Lupusi, sëmundja autoimune që prek disa organe njëkohësisht!

0
87

Sëmundjet autoimune kanë si karakteristikë kryesore drejtimin e sistemit imunitar kundër qelizave të veta, pra organizmi sulmon vetveten.

Sigurisht që është një problematikë e cila do ketë pasojat përkatëse të cilat mund të jenë të rënda deri në dëmtim multiorganor. Në një intervistë për gazetën Panorama mjekja gastrohepatologe Vlera Lekaj tregon se një nga këto sëmundje autoimune është dhe i ashtuquajturi Lupusi Eritematoz, e cila është një sëmundje e pashërueshme, por nëpërmjet terapisë së duhur medikamentoze arrihet një menaxhim i suksesshëm i simptomave.

Si shfaqet dhe cili është dekursi i kësaj sëmundje?

Siç e thashë më lart kemi të bëjmë me një sulm të vetë organizmit ndaj vetes, ku si pasojë formohen antitrupa kundër qelizave dhe indeve organore, ku më të prekurit janë zemra, veshka, mushkëria, lëkura dhe artikulacionet. Shfaqja mund të jetë me instalim të menjëhershëm të simptomave pra akute ose kronike me një zhvillim, dekurs më gradual dhe konstant, i cili zgjat me vite.

Cila është simptomatika e kësaj sëmundje?

Varion nga rasti në rast. Shenja e parë mund të jetë një shenjë(njollë) karakteristike në lëkurën e fytyrës që i ngjan formës së një fluture. Emri “Lupus” origjinon nga latinishtja, dhe do të thotë “ujk” sepse të kujton shenjën që mbetet nga një plagë e shkaktuar nga kafshimi i ujkut. Simptoma të tjera mund të jenë edhe edema në ekstremitete, plagë në mukozën e gojës, rënie flokësh, dhimbje muskulare, temperaturë, lodhje, dhimbje artikulare shoqëruar me ngurtësim të artikulacioneve, rënie në peshë, nëse preket zemra dhe mushkëria shfaqen infeksione të cipës së zemrës dhe mushkërisë e nëse preket veshka identifikohet me analiza, sepse mund të mos ketë shenja në fillim si dhe çrregullime të ndryshme të lëkurës edhe në pjesë të tjera të trupit. Vlen për t’u përmendur që diagnoza e lupusit është e vështirë me simptoma nga më të larmishmet për të cilat duhet bërë diagnozë diferenciale pra duhen përjashtuar patologjitë, sëmundjet e tjera. Sëmundja prek më shumë grupmoshën 20-40 vjeç, por mund të shfaqet edhe në grupmoshat mbi 55 vjeç, si dhe prek më tepër femrat.

Si vendoset atëherë diagnoza e “Lupus”?

Së pari, me teori përjashtimi pra përjashtohen sëmundjet e tjera. Më pas nëpërmjet analizave laboratorike imunologjike identifikohen antitrupat specifikë në gjak, ekzaminime radiologjike me eko dhe grafi për të gjykuar mbi funksionin dhe strukturën e organeve. Anamneza e të sëmurit luan një rol të veçantë, pra historiku i sëmundjes, shenjave dhe simptomave dhe sigurisht bashkëpunimi i ngushtë mes mjekëve reumatologë dhe internist për të shkëmbyer eksperiencat në drejtimin të një nga diagnozave më të komplikuara siç është ajo e një sëmundjeje autoimune.

Duket një sëmundje sfiduese, në fakt, por a paraqiten faktorë risku tek kjo problematikë shëndetësore?

Po patjetër që ka studime dhe në këtë pjesë. Siç u përmend më lart gjinia, ku femrat rezultojnë më të prekura së meshkujt, rreth 9- herë sipas studime e më të riskuara. Raca, ku afroamerikanët pretendohet të jenë në raport sesa kaukazianët ku femrat afroamerikane dhe hispanike zhvillojnë dhe formë më të rëndë të sëmundjes dhe së fundmi historia familjare ku individët, të cilët kanë familjarë me Lupus janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje. Ndërkohë që vetëm 2% e fëmijëve që kanë nënat të diagnostikuara me Lupus zhvillojnë gjatë jetës së tyre këtë sëmundje.

Si mund ta menaxhojmë sëmundjen e Lupus?

Patjetër që terapia medikamentoze është zgjedhje e rëndësishme për trajtimin e Lupus. Duke filluar që nga antiinflamatorët, të cilët ndihmojnë në përmirësimin e simptomave si temperatura apo dhimbjet artikulare, muskulare. Për të vazhduar me imunosupresorët, të cilët veprojnë në organizmin tonë duke ulur përgjigjen imunitare dhe si rezultat lehtësojnë manifestimin simptomatik. Si dhe kortizonikët të cilët reduktojnë inflamacionin sidomos në prekjen renale pra të veshkës. Gjithsesi vlen për t’u theksuar që trajtimi i Lupusit është tërësisht kompetencë e specialistit dhe nuk duhet të ndërmerret asnjë iniciativë trajtimi pa konsultën e tij.

Ku duhet të drejtohemi në rast të shfaqjes së simptomave të kësaj sëmundje, të cilat mesa duket mund të ngjajnë me shumë sëmundje të tjera?

Siç e thashë më lart është shumë e rëndësishme që të mos merret përsipër një vetëdiagnostikim apo vetëtrajtim. Në momentin që shfaqen simptoma te dyshimta hapi i parë i rëndësishëm është që vlerësohet rëndësia e tyre duke mos i neglizhuar ato. Komunikimi me mjekun e familjes të orienton drejt kryerjes së analizave dhe ekzaminimeve përkatëse e më pas bashkëpunimi dhe konsultat me mjekun reumatolog dhe internist janë dhe pjesa më e rëndësishme e menaxhimit të mëtejshëm të sëmundjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here