“Lumbardhi” – monument i aktivizmit

0
225

Ka qenë angazhimi qytetar në mileniumin e ri që e ka shpëtuar atë nga harresa, për ta mbrojtur pastaj nga privatizimi dhe rrënimi, deri në pikën kur rishtazi autoritetet e trashëgimisë kulturore e kanë listuar si aset të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Rasti i “Lumbardhit” ka sjellë lindjen e një festivali të përmasave botërore e organizimin qytetar për të kundërshtuar vendimet e autoriteteve. Më vonë dizajnimin e modelin e menaxhimit, sikurse edhe aftësimin e një gjenerate të re aktivistësh, e cila mësoi domethënien e fjalës kauzë

Historia e godinës së kinemasë në qendër të Prizrenit është plot ndjenja të lidhjes e afërsisë me të, por edhe të refuzimit deri në braktisje.
Ka qenë angazhimi qytetar në mileniumin e ri që e ka shpëtuar atë nga harresa, për ta mbrojtur pastaj nga privatizimi dhe rrënimi, deri në pikën kur rishtazi autoritetet e trashëgimisë kulturore e kanë listuar si aset të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Një rrugëtim si ky ka zgjatur mbi dy dekada dhe, pavarësisht sfidave, vlerësohet si shembull i triumfit të aktivizmit qytetar në Kosovën e pasluftës. Madje mirënjohja për këtë angazhim të shoqërisë civile ka ardhur edhe nga arena ndërkombëtare.

Rasti i “Lumbardhit” ka sjellë lindjen e një festivali të përmasave botërore e organizimin qytetar për të kundërshtuar vendimet e autoriteteve. Më vonë, dizajnimin e modelin e menaxhimit, sikurse edhe aftësimin e një gjenerate të re aktivistësh, e cila mësoi domethënien e fjalës kauzë.

Kino “Lumbardhi” për herë të parë ka nisur punën në vitin 1952.

Sipas Bengi Muzbegut dhe Tevfik Radës, autorët e librit “Lumbardhi: një histori episodike”, autoritetet e asaj kohe shpronësuan një shtëpi private për të ndërtuar një kinema për prizrenasit. Godina u ndërtua kryesisht nga punëtorët vullnetarë pa ndonjë plan të detajuar dhe të përfunduar. Stili i saj nga autorët e librit përshkruhet si një estetikë e papërsosmërisë entuziaste dhe militante. Shtatë vjet më vonë do të përurohej edhe kinemaja e hapur. Hapja e kino ‘Bahçes’, sipas Muzbegut dhe Radës, shton edhe numrin e shikuesve. Një raport i vitit 1960 thekson se mbi 285 mijë vizitorë kanë shikuar filma në kinema, teksa në të njëjtin vit janë shfaqur 171 filma dhe sipas shtypit të kohës filmat e preferuar ishin ata “western”.

Në historinë e re kanë qenë qytetarët ata që e shpëtuan “Lumbardhin” prej rrënimit.

Alba Çakalli, e cila sot është producente e festivalit “DokuFest”, kujton se si para 16 vjetësh nën koordinimin e ministrit të sotëm të Kulturës, Hajrulla Çeku, është angazhuar për mbledhjen e nënshkrimeve kundër rrënimit të kino “Lumbardhit”.

qenë të rinj dhe natyrisht atëherë në kohën e adoleshencës me nga 16-17 vjet, për ne ka qenë interesant me qenë pjesë e ‘DokuFestit’ dhe ka qenë interesant me qenë pjesë e një kauze, edhe pse kemi qenë shumë të rinj. Edhe natyrisht situata atëherë ka qenë shumë më ndryshe se sot, informatat kanë qenë më ndryshe, edhe për herë të parë jemi njoftuar me fjalën kauzë, aktivizëm edhe e kemi kuptuar se çka do të thotë në atë moshë të re kontributi ynë me aq pak eksperiencë”, ka kujtuar Çakalli.

Kjo përvojë ka bërë që ajo sot të ketë lidhje emocionale të veçantë me “Lumbardhin”.

“Edhe e mbaj mend shumë mirë se ka qenë gëzim i madh, tepër gëzim i madh dhe unë ende sot e kësaj dite, i kam 33 vjet, e kam një lidhje emocionale shumë më ndryshe me ‘Lumbardhin’”, ka thënë ajo. Ka shtuar se edhe sot është ndjenjë e krenarisë shumë e mirë kur kujtohet ajo periudhë dhe aktivizmi është për të mirën e komunitetit, qytetit e shtetit.

Për Veton Nurkollarin, rasti i kino “Lumbardhit” është vërtetim se aktivizmi shpaguhet dhe se duhet besuar në angazhimin për realizimin e ëndrrave.

“Gjithsesi mendoj se është një lloj triumfi, një lloj besimi në aktivizëm, ndoshta edhe një besim në një ëndërr që e kemi pasur e që ndërlidhet me atë çka bëjmë, edhe me çka merremi, edhe pse merremi, edhe sa ka qenë i rëndësishëm dhe sa është i rëndësishëm ai vend, jo vetëm për atë që bëjmë ne, por për këtë qytet, për aktivizmin po ashtu”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFestit”. Sipas tij, ndoshta është edhe një vërtetim që aktivizmi shpaguhet dhe është i vlefshëm edhe i nevojshëm për një shoqëri të shëndoshë.

Po aq inkurajues për këtë kauzë ka qenë edhe angazhimi i organizatave dhe aktivistëve nga qytetet e tjera të Kosovës.

Nurkollari ka kujtuar se në iniciativë janë bashkuar jo vetëm aktivistë ose pjesëtarë të shoqërisë civile të këtij qyteti, por edhe më gjerë. Ka thënë se ishte një koalicion prej 57 organizatave të ndryshme nga gjithë Kosova.

“Mendoj se është një shans i mirë për me tregua se si mund të bëhen bashkë shumë njerëz, shumë organizata për një qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.

Njëri prej hapave vendimtarë ka qenë edhe themelimi i fondacionit “Lumbardhi”, në krye të të cilit ishte vendosur Ares Shporta, atëherë i sapokthyer nga studimet jashtë vendit. Shporta rendit kronologjikisht disa kapituj të rastit të kinemasë.

Ka rrëfyer se ka qenë një moment kyç në krejt historinë e kinemasë themelimi i Fondacionit, por ka qenë njëra nga shumë kthesat e procesit. Sipas tij, kthesa e parë ka qenë hapja e “DokuFestit”, para asaj ka qenë mbyllja e kinemasë. Më pas, sipas tij, më 2003 ka qenë kthesë Plani Urban, që ka paraparë rrënimin e më 2007 vendimi për rrënim.

“Më 2007 iniciativa e udhëhequr prej ‘DokuFest’ dhe ‘Ec Ma Ndryshe’ edhe qytetarëve që kanë mbledhë 8 mijë nënshkrime me një vend ku me 20 mijë vota bëhesh kryetar dhe reflektimi i 2014-s ku e kemi parë që nuk mjafton me ndalë një proces, nuk mjafton me ndalë një rrënim, por që duhemi me marrë përsipër përgjegjësinë me i ba bashkë ne institucionet edhe gradualisht me rikthye në këtë vend”, ka kujtuar ai. Sipas Shportës, ka qenë vendim i mençur prej udhëheqësve të iniciativës në vitin 2014 që të krijohet një entitet i ri.

Edhe në fillet e saj këtu e 70 vjet më parë, kinemaja ka pasur episode si këto të kohës së re.

Përplasjet rreth dukjes së saj dhe pengimit të rrugës kryesore janë shfaqur qysh në vitet ‘70 dhe sipas hulumtimit të Bengi Muzbegut e Tevfik Radës, kinemaja qysh në ato vite konsiderohej e vjetër dhe e padëshiruar. Megjithëkëtë, aktiviteti në të nuk është ndalur. Kjo hapësirë kulturore nuk ka shërbyer vetëm për shfaqjen e filmave. Aty janë mbajtur kitariadat dhe vite me vonë edhe “Zambaku i Prizrenit”, por edhe ngjarje të tjera kulturore. Pas viteve të arta, pason kriza e viteve ‘90 dhe mbyllja në vitin 1999. Në vitin 2002 një grup dashamirësh të filmit organizojnë “DokuFestin” me qëllim që kinemaja sërish t’i hapë dyert, për të vijuar tutje me rezistencën qytetare në vitin 2007 dhe 2014 kundër shembjes së ndërtesës. Në tetor të vitit 2014 në Ministrinë e Kulturës u dorëzua edhe kërkesa e shoqërisë civile që kinemaja të përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Në vitin 2015 u themelua fondacioni “Lumbardhi” që mori përsipër menaxhimin e kësaj hapësire dhe komunikimin me institucionet përgjegjëse për gjetjen e një zgjidhjeje. I tërë ky angazhim ka marrë edhe mirënjohje ndërkombëtare, pasi nisma për ruajtjen dhe rijetësimin e kino “Lumbardhit”, “Lumbardhi Përsëri Publik” u bë pjesë e fituesve të çmimit prestigjioz evropian për trashëgimi kulturore për vitin 2022, çmimit të “Europa Nostras”.

“Ndikimi që ka pasur nisma ‘Lumbardhi Përsëri Publik’ në komunitetin lokal është shumë cilësore dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë. Angazhimi kreativ i të rinjve në aktivitete është i lavdërueshëm dhe bën të dukshme vlerat e shumta të vendeve të trashëgimisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të qyteteve”, do të vlerësonte juria.

Ky çmim, sivjet u pasua me një vendim të autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në qershorin e 2023-s ka miratuar shpalljen e 18 aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme nga propozimet e Ministrisë së Kulturës, në mesin e të cilave bën pjesë edhe kino “Lumbardhi”.

Veron Tara nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit thekson se ky vendim ofron siguri për kino “Lumbardhin” që të mos shembet apo të tjetërsohet.

përgjithësi monumentet kur fillojnë me hy në listë të përhershme është një kënaqësi shumë e madhe për shkak të sigurisë që ofron shteti, sigurisë në aspektin që nuk mund të shkatërrohet apo të tjetërsohet. Ndërtesa e kinemasë ‘Lumbardhi’ ka qenë në listë të përkohshme, tani hyri në listë të përhershme të Ministrisë apo shtetit të Kosovës, edhe i ofron njëfarë sigurie komunitetit në përgjithësi, por edhe qytetit të Prizrenit, pasi që është një prej kinemave që vlerësohet se memorien kolektive e ka shumë të lartë, shumë të pasur, edhe mbrojtja nga shkatërrimi apo nga tjetërsimi, sepse humbja e këtij monumenti është edhe humbje për shoqërinë tonë”, ka thënë ai.

Veton Nurkollari ka thënë se kjo kinema është një vend ikonik i qytetit, rëndësia e së cilës e tejkalon ndërlidhjen e saj me “DokuFestin”.

që pa atë vend nuk do të kishte ‘DokuFest’, sepse ne ‘DokuFestin’ e nisëm për shkak të atij vendi. Pa atë vend është vështirë e imagjinueshme që në Prizren do të lindte një festival i filmit të këtyre përmasave. Por ai vend ka rëndësi edhe përtej ‘DokuFestit’, edhe ka një memorie të hatashme kolektive të këtij qyteti, që është i ngulitur në atë vend dhe nuk ka të bëjë vetëm me film, por edhe më gjerë”, ka thënë ai.

Angazhimi qytetar për mbrojtjen e kinemasë, sipas Nurkollarit, ka ardhur natyrshëm, meqë kjo hapësirë ka qenë pikë gravitimi për kulturën e qytetit, por edhe vend frymëzimi i shumë gjeneratave.

Njohësi i trashëgimisë kulturore, Veron Tara, veçon edhe vlerat arkitektonike të godinës.

“Duhet marrë parasysh faktin se ndërtesa është ndërtuar në vitin 1952, kur arkitektura moderniste ka qenë në kulm të ndërtimit dhe kjo ndërtesë i përket asaj kohe, është ndërtesë moderniste, shumë pak detale, shumë pak dekorime, gjë që është shumë normale për atë kohë, që në ditët e sotshme nuk po vlerësohet. Arkitektura moderne në përgjithësi në Kosovë nuk vlerësohet aq sa duhet”, ka thënë ai.

Aktivistja Alba Çakalli konsideron se kino “Lumbardhi” si vend unik është edhe hapësirë multifunksionale që sot u shërben të gjitha komuniteteve, pa dallim moshe.

“’Lumbardhi’ është vendi më unik që mund ta ketë Prizreni. Këtë e them me plot bindje. Përveç atmosferës që e ka, infrastrukturës super unike, këso kinemaje nuk ka në Ballkan, ende askund, por flas për pjesën e jashtme. Tash për fat të mirë edhe pjesa e brendshme ka me iu përshtat kohës dhe kanë me iu përmirësua kushtet. Është hapësirë multifunksionale që mundet me iu shërbye të gjitha komuniteteve pa dallim, edhe është derë e hapur për të gjithë”, ka thënë ajo. Zyra e BE-së në Kosovë përmes fondeve të IPA 2020 planifikon që në vjeshtë të fillojë projektin e konservimit të kino “Lumbardhit”. Sipas kësaj zyre, “Lumbardhi” është një projekt i konservimit dhe përshtatjes së plotë të një godine historike të mbrojtur me qëllim përmirësimin e komoditetit dhe funksionalitetit në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit.

Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” thekson se sivjet janë arritur shumica e objektivave dhe se tani mbetet të gjendet edhe një zgjidhje lidhur me menaxhimin afatgjatë të kësaj hapësire.

“Dhe mbetet aspekti i marrëveshjes lidhur me menaxhimin afatgjatë të kinemasë, për të cilën ne kemi bërë punë të ndryshme, analiza, përgatitje, prezantime tashmë në 5 qeveri qendrore dhe në 3 qeveri lokale dhe po shpresojmë se do të arrijmë një marrëveshje në koordinim me nivelin lokal e qendror, për ta qëndisur një opsion që është i përshtatshëm për kontekstin e ‘Lumbardhit’, për kontekstin e Prizrenit, kapacitetet që i kemi, në mënyrë që me shpresë që deri në vitin 2025, kur kino ‘Lumbardhi’ të kthehet në kapacitet të plotë dhe të operojë 365 ditë në vit ta ketë një ekip kompetent, një model ekonomik, menaxhues, programativ të shfrytëzimit që u përgjigjet nevojave dhe ambicieve, të cilat kanë lindë prej këtij procesi”, ka thënë ai. “Lumbardhi” vitin e shkuar ka festuar 70-vjetorin e themelimit me një program të gjerë kulturor të shtrirë gjatë tërë vitit. Edhe me rikthimin e kujtimeve për historinë e tij të vjetër e të re, ku futet edhe kapitulli për të si triumf i aktivizmit.

Prej këtij viti është njëri prej 46 aseteve të trashëgimisë kulturore, arkeologjike dhe arkitekturore të Kosovës nën mbrojtje të përhershme. Jo vetëm si objekt i moçëm, por edhe si monument i aktivizmit qytetar./KOHA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here