Luka Modric së fundmi ka folur me shumë respekt për Juan Román Riquelme, duke theksuar se ai ishte një nga kundërshtarët më të fortë me të cilët është përballur gjatë karrierës së tij.
Mesfushori kroat kujtoi edhe debutimin e tij me kombëtaren e Kroacia në vitin 2006, në një miqësore kundër Argjentina. Në atë ndeshje, ai pati mundësinë të luante përballë Lionel Messi të cilin e konsideron si më të mirin në histori por edhe ndaj Riquelmes, i cili i la një përshtypje shumë të madhe.
Në një intervistë për Mundo Deportivo, Modric theksoi rëndësinë e asaj ndeshjeje, duke e cilësuar si një moment kyç në karrierën e tij.
Ai tregoi se trajneri i kishte paralajmëruar për vështirësinë e përballjes, por vetëm kur pa nga afër Riquelmen, e kuptoi arsyen e shqetësimit.
“Kur e pashë Riquelmen në fushë, e kuptova pse trajneri ishte i shqetësuar”, u shpreh Modric.
Ai veçoi inteligjencën dhe vizionin e lojës së argjentinasit, duke theksuar se mënyra se si ai analizonte fushën dhe gjente hapësirat ishte e jashtëzakonshme.
“Ajo që admiroja më shumë ishte fakti se sa herë që kishte topin, ai skanonte gjithë fushën, nga hapësirat më të afërta deri te më të largëtat, gjithmonë në kërkim të një pasimi vendimtar”, ka thënë kroati.
Modric gjithashtu kujtoi vështirësitë në përballje direkte me të, duke shtuar se teknika unike e Riquelmes e bënte pothuajse të pamundur t’i merrje topin.
“Ai lëvizte me topin në një mënyrë shumë të veçantë. Shpesh më bënte të humbja ekuilibrin dhe largohej lehtësisht”, rrëfeu ai.
Aktualisht, Riquelme mban postin e presidentit te Boca Juniors, klub ku ai u formua si futbollist, ndërsa Modric vijon karrierën e tij në nivel klubesh dhe me përfaqësuesen kroate.
Modric ka marrë pjesë në katër Kupa Bote (2006, 2014, 2018 dhe 2022) dhe pritet të jetë pjesë edhe në edicionin e ardhshëm, duke u renditur mes lojtarëve me më shumë paraqitje në këtë kompeticion prestigjioz.













































