Lubizhda e Hasit përkujtoi 14 dëshmorët dhe 40 martirët

0
225

Në Lubizhdë të Hasit, të martën është mbajtur manifestim përkujtimor në nderim të 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të këtij lokaliteti.

Shahe Parllangaj, me plagë në shpirt, po e kujton të birin, Skenderin, i cili para 24 vitesh në moshën 25 vjeçare, u vra nga forcat armike serbe në fshatin Lubizhdë. Familjarë të dëshmorëve dhe martirëve në Lubizhdë, mes lotësh po përkujtojnë më të dashurit e tyre të cilët u vranë e masakruan nga pushtuesi i egër para 24 vitesh, kur këtij lokaliteti i është vënë flaka, pasi ishte shndërruar në vend të besës, bukës dhe pushkës së UÇK-së.

Në këtë manifestim përkujtimor, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të shumta. Se çfarë përjetoi ky fshat me 12 prill të vitit 1999, tregoi para të pranishmëve, përfaqësuesi i këtij lokaliteti, Bekim Nerjovaj.

Kreu i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e vlerësoi të jashtëzakonshme sakrificën e lubizhdasve në shërbim të çlirimit të vendit, për të cilin qëllim edhe u flijuan e martirizuan dhjetëra dëshmorë e martirë.

Zv’ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, tha se në këtë ditë pikëllimi por edhe krenarie, duhet të mendojmë si ta jetësojmë amanetin e dëshmorëve për të ardhmen e vendit.

Pas fjalimeve, nga pjesëmarrësit e këtij tubimi përkujtimor, janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të Lubizhdës./TvPz

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here