Luana Vjollca tregon për rrugën drejt suksesit në karrierë

0
54

Emocionet dhe ethet nuk kanë mbërthyer vetëm fermerët, por edhe bejleren, Luana Vjollcën sonte në finalen e madhe të Ferma Vip2. Po këto ethe janë ndryshe nga ato të pak muajve më parë, kur nisi kjo aventurë. Janë më tepër ethe lumturie në fund të një udhëtimi të bukur, i cili erdhi në një moment kur asnjë projekt tjetër nuk ia mbushte syrin.

Kishte disa alternativa në tryezë dhe thuajse e kishte marrë një vendim për një projekt që nuk e frymëzonte dhe as e sfidonte, si natyrë që kërkon përherë sfida të reja. Me “Fermën” ra menjëherë në dashuri dhe tha me gjithë shpirt “po”. “Me ‘Fermën’ ndodhi diçka interesante, – kujton Luana. – Kur m’u bë propozimi mendova menjëherë se ishte oferta e duhur në atë moment. Nuk më mungon intuita për të kuptuar në çast nëse diçka ia vlen apo jo dhe ndjeva se kjo ishte sfida e re që po kërkoja prej kohësh. Si natyrë më pëlqejnë projektet sfiduese, më bëjnë të ndihem e gjallë dhe ta jetoj me emocion çdo ditë.”

“Unë zgjedh gjithmonë t’ia nis nga e para”, Luana

Emocione më se të dukshme çdo herë që shfaqet në ekranin e Vizion Plus. Në fakt, grintën dhe entu ziazmin për televizionin Luana e ka pasur që ditën e parë që nisi këtë rrugëtim. Më kujtohen fillimet e saj. Mua më kanë lënë mbresa, sepse kam qenë gazetari i parë që jo thjesht e ka intervistuar, por së bashku me velinën tjetër, Livian, i kam nxjerrë dhe në kopertinën e “Intervistës”, gazetës më të shitur të fundjavës asokohe.

Rreth 17 vjet më parë. Edhe pse vetëm 16 vjeçe, Luana e dinte mirë se çfarë po bënte. Dha një intervistë interesante. Pozoi si modele përpara aparatit fotografik. Gazeta “Intervista” atë numër ka shkuar për së dyti në print brenda javës. Që atëherë i lexohej në sy natyra e vendosur, ambicioze dhe dëshira për t’i bërë vetes një vend në botën e televizionit. Dhe ia doli. Nuk do të kalonte shumë kohë para se të shndërrohej në sensacion, një nga moderatoret dhe autoret më të suksesshme të emisioneve prime time në ekranet kombëtare. Ndalesa e radhës, “Ferma VIP”, përvojë që po e sfidon, por dhe e argëton.

“Unë zgjedh gjithmonë t’ia nis nga e para”, Luana

“Ishte pikërisht momenti për t’u sprovuar në një format tjetër televiziv”, – shprehet ajo. Për Luanën, t’ia nisësh nga e para është dhuratë. Një mundësi për t’u rritur, për t’u zhvilluar. Sidomos nëse aty ku je nuk ke hapësirë të rritesh mëtej. Qoftë në lidhje, në punë, apo në çdo aspekt të jetës. “Njeriu e kupton kur një stad i caktuar i jetës është ezauruar dhe nuk mund të shkojë më tej. E në kësi rastesh, unë zgjedh gjithmonë t’ia nis nga e para”, – thotë Luana. Si dikush që po bën një ndryshim rrënjësor në karrierë e po ia nis edhe vetë nga e para, i kam parasysh pasiguritë, dyshimet dhe frikën e së panjohurës, ndaj ajo që do të thoshte Luana më pas, më ngrohu. “Sido që të shkojë, dalim të fituar: nëse ndryshimi del për mirë, rritemi, nëse dështojmë, prapë fitojmë, sepse mësojmë nga gabimet dhe pa gabime nuk zhvillohemi dot./Genti Minga

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here