Barcelona vijon ecurinë fantastike midis kampionatit dhe Europës, duke marrë frytet e para të punës së teknikut Xavi Hernandez. Në ndeshjen e fundit, në fundjavë, përballë Levantes, Barcelona tregoi edhe një herë tjetër forcën e karakterit dhe në fund doli me tre pikët e plota, duke ruajtur vendin e dytë në kampionat.
Ndaj Levantes ishte një mbrëmje speciale në aspektin personal për mbrojtësin spanjoll, Jordi Alba. 33-vjeçari është zyrtarisht në librin e artë të klubit katalanas, pasi në Valencia, ai luajti ndeshjen numër 421 me fanellën e Barcelonës, duke u bërë pjesë e 10 lojtarëve me më shumë prezenca në të gjithë historinë me “blaugranat”. Nga Valencia te Valencia. Jordi Alba barazoi në këtë listë Guillermo Amor dhe është pjesë e Barcelonës nga qershori i vitit 2012, kur u transferua nga Valencia dhe debutoi në gushtin e atij viti, ndaj Real Sociedad, ndërsa golin e parë me katalanasit e realizoi në 20 tetor ndaj Deportivo La Coruna.
Alba numëron 282 ndeshje në La Liga, 45 në Kupë, 80 në kompeticionet europiane dhe 14 ndeshje të tjera duke përfshirë takime miqësore apo në Kupën e Botës për klube, në total 421 prezenca. Sa i përket lojtarëve aktiv dhe pjesë e katalanasve, vetëm Sergio Busquets numëron 672 takime dhe Gerard Pique 604, ndërsa rekordi mbahet nga argjentinasi, Lionel Messi me 778 prezenca në të gjitha kompeticionet.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Jordi Alba ka qenë një nga lojtarët më të rëndesishëm në vitet e fundit për Barcelonën dhe me katalanasit ka fituar gjithçka, 5 tituj në La Liga, 1 Champions League, 5 Kupa, 3 Superkupa Spanje dhe 1 Kupe Bote për klube, në total 15 trofe duke u kthyer kështu në një nga lojtarët me më shumë trofe në pozicionin e tij./SS