Villareal nuk mundet të bëjë surprizën përballë Liverpool me të kuqtë që në një Anfield të zhurmshëm mposhtën spanjollët me rezultatin 2-0.
Në pjesën e parë, Liverpool ishte dominues ndaj spanjollëve. Anglezët e trajnerit Jurgen Klopp kishin një marsh më shumë në fushë dhe sinjalin e parë e dhanë me anë të kombinimit Salah-Mane, por senegalezi nuk pati saktësinë e duhur në goditjen me kokë.
Në vazhdim, portieri i spanjollëve, Rulli u bë protagonist me disa ndërhyrje shpëtimtare, megjithatë atij iu desh edhe fati me vete në një goditje potente të Thiago Alcantara në fundin e 45-minutëshit të parë. Spanjolli kalibroi mirë goditjen e tij, por nuk kishte bërë llogaritë me shtyllën me Villareal që në këtë rast pati fatin me vete.
Fraksionin e dytë, Liverpool e nisi me të njëjtin ritëm megjithatë në këtë pjesë, të kuqtë ia dolën të gjenin edhe rrugën e rrjetës teksa në minutën e 53, një harkim i Salah u devijua nga Estupinan duke nxjerrë jashtë loje portierin Rulli.
Ndërkaq, vrulli i anglezëve solli edhe golin e dytë me Mane që kombinoi me Salah dhe në limitet e pozicionit jashtë loje shkundi rrjetën.
Falë këtij rezultati, Liverpool hedh një hap të sigurt drejt finales me “Nëndetësen e verdhë” që pasi eliminoi Juventus e Bayern, këtë herë u detyrua të dorëzohej në Anfield./SS