Lista Serbe ka në dispozicion vetëm nëntë kandidatë për deputetë, mandati i dhjetë i kalon partisë së Rada Trajkoviqit

0
225

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe, të cilët kanë dhënë dorëheqje të hënën.

Në bazë të sistemit zgjedhor të Kosovës deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.

Zëvendësimi bëhet nga kandidatët për deputetë që kanë më së shumti vota nga e njëjta parti.

Mirëpo në rastin në fjalë Lista Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare ka garuar me 20 kandidatë për deputetë duke fituar dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ivan Todosjeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor të vitit 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

I njëjti ishte zëvendësuar nga deputetja Dragana Antonijeviq dhe si rrjedhojë Lista Serbe tashmë ka në dispozicion vetëm nëntë kandidatë për deputetë në dispozicion që mund të bëjnë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.

Hulumtuesi i KDI-së Eugen Cakolli ka sqaruar se vendi i mbetur vakantë nga Lista Serbe do të zëvendësohet radhët e partisë tjetër serbe – GI SPO, që ka numrin më të madh të votave pas Listës Serbe.

Cakolli ka paralajmëruar se deputetët e ri duhet të japin betimin brenda tri seancave të rregullta.

“Mosdhënia e betimit përbën arsye për humbjen e mandatit”, ka njoftuar hulumtuesi i KDI-së.

GI SPO është iniciativa e politikanes Rada Trajkoviq.

Ende nuk dihet nëse nëntë kandidatët e mbetur të Listës serbe do të pranojnë të marrin mandatet e kolegëve të dorëhequr.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është pritur mirë nga njohësit e çështjeve politike.

Sipas profesorit Agron Hoti Kosova rrezikon të humbë karakterin multietnik nëse serbët largohen nga institucionet e Kosovës

“Kur është shpallë pavarësia e Kosovës, karakteri unitar i shtetit të Kosovës ka qenë i bazuar në multienticitet, pra Kosova është shtetet multientink edhe mbi këtë bazë është pranuar nga mbi 110 shtete”, ka thënë Hoti në një intervistë për RTV Dukagjinin.

Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Listës serbe të kthehen në institucionet e Kosovë, derisa u kanë bërë thirrje palëve për të mos përshkallëzuar tensionet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here