Kosovës të hënën iu shtua zyrtarisht edhe një parti politike. Së shpejti do të mësohet emri i kryetarit apo kryetares së këtij subjekti politik. Deri atëherë, Donika Gërvalla qëndron në krye të partisë.
Lista Guxo u regjistrua para dy ditësh në KQZ, një vit pas krijimit dhe bashkimit me Lëvizjn Vetëvendosje, i fituan zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, për të ardhur në pushtet. Lidhja Demokratike e Kosovës, partia nga e cila u largua tash presidentja Vjosa Osmani dhe disa të tjerë, atë ditë e regjistroi rezultatin më të dobët në histori të subjektit më të vjetër politik në vend.
“Është e pashmangshme që Guxo ka pasur peshë të konsiderueshme në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, mendon Faton Peci, ministër i Bujqësisë.
Guxo-n tash për tash do ta udhëheqë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa u tha se shpejt do ta kenë një proces të brendshëm zgjedhor, ku do të përzgjidhet kryetari ose kryetarja dhe strukturat tjera udhëheqëse.
Gërvalla është e vetëdijshme se, siç tha vetë të hënën në një konferencë për media, “nuk do të jetë si me Vjosa Osmanin, sikur pa Vjosa Osmanin”, por tha se Lista Guxo do të jetë parti serioze.
Edhe pse, nisur nga fjalët e ministrit Peci, Guxo do t’u hyjë zgjedhjeve me rrënjë, kjo parti konsiderohet si e vogël. Në fakt, nuk njihen shumë figura prej saj. Në radhët e saj ka 5 deputetë, që nuk mjafton as të themelojë grupin e vet parlamentar.
Në atë pesëshe hyn edhe deputetja Doarsa Kica Xhelili, e cila është një prej me të zëshmeve të krejt Grupit Parlamentar të LVV-së. Ajo gëzon edhe një admirim të veçantë nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ia devijoi rrugën e avokates për ta futur kah politika.
“E gëzuar që në këtë rrugëtim më është bashkuar Doarsa, dikur bashkëpunëtore e imja në profesion e njëherit një avokate e shkëlqyeshme”, pati shkruar Osmani para zgjedhjeve të fundit parlamentare.
E meqenëse deputetja shpejt u bë prej figurave kyçe afër presidentes Osmani, Express e ka pyetur rreth mundësisë së kandidimit të saj për kryetare, por Kica Xhelili nuk është përgjigjur.
Prononcimin për këtë çështje e evitoi edhe ministri Faton Peci. Ai thjesht tha në konferencën e djeshme se do t’i organizojnë zgjedhjet e brendshme.
“Pashmangshëm që ne tash do të futemi në një proces të zgjedhjeve të brendshme, duke filluar nga niveli më i ulët, nëndegëve”, tha Peci.
Ministri i Bujqësisë tha se i kanë përfshirë format më të mira të garës në statutin e partisë. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe personaliteteve me integritet e kredibilitet që t’i bashkangjiten procesit zgjedhor të Guxo-s, duke ‘premtuar’ se “gara do të jetë e hapur”.
Vjosa Osmani, si bartëse e listës zgjedhore nën logon e LVV-së së Albin Kurtit, arriti t’i mblidhte më shumë se 300 mijë vota më 14 shkurt 2021, duke u bërë njeriu më i votuar ndonjëherë në Kosovë. Ajo e kishte parë rezultatin e mirë të vendimit të saj për ta përplasur derën e LDK-së, kur kjo parti e shkarkoi nga çdo funksion brenda saj. Kësisoj, Osmani u rreshtua bashkë me Albin Kurtin, të cilin e kishte kundër në vitin 2019, kur garonte për kryeministre.
Ministri Faton Peci, njëri nga njerëzit më të afërt të Vjosa Osmanit, tregoi të hënën në Kanal10 se Kurtin e kanë ftuar në konventën e partisë, që megjithatë s’dihet se kur do ta organizojnë. Ai tha se personalisht nuk ka marrë ndonjë urim nga Kurti për zyrtarizimin e subjektit politik.
“Të paktën unë personalisht nuk kam marrë diçka të tillë, por e di që është diskutu dhe Z. Kurti ka shprehë gatishmërinë që kurdo që ne e organizojmë konventën, që të jetë pjesë si mysafir i nderit në proces të formalizimit tonë si subjekt politik”, tha Peci.
Lista Guxo, e deklaruar si parti e qendrës së djathtë, aktualisht nuk sheh mundësi bashkëpunimi me partitë e orientimit të njëjtë ideologjik që aktualisht janë në opozitë. Udhëheqësja e partisë, Donika Gërvalla, tha dje se do ta vazhdojnë bashkëpunimin me LVV-në.
“Ne do ta thellojmë bashkëpumin me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk shohim momentalisht në skenën politike një partner serioz me të cilin do të mund t’i hynim sfidave që kërkohen”, tha kryediplomatja.