Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se ky ekip ka prezantuar dje punën e tij dhe tashmë është pa status.
“Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, shkroi ai.
Ekipi menaxhues ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.
Kujtojmë se dje në Bruksel, u prezantua draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga ky ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit tha se draft-statuti për Asociacionin i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.
Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për “Republika Srbska” në Kosovë.
“Ky draft-statut është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën tonë dhe të drejtat e pakicave. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe unë propozova një draft vizion me 11 pika përkitazi me nenin 7 se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, tha Kurti.