Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është lansuar forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cënueshme, derisa ka publikuar edhe linkun ku mund të aplikohet, raporton Express.
Murati u ka bërë thirrje aplikuesve që të sigurohen se të dhënat janë të sakta, sidomos shifra e konsumatorit, meqë siç ka thënë subvencioni do të bëhet direkt në faturë.
Sipas tij, nga kjo mund të përfitojnë të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim.
“Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”, ka shkruar Murati.
Murati ka thënë se shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kËh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.
“Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kËh/vit për anëtar. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kËh/vit/anëtar”, ka deklaruar Ministri.
Për familjet që nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, Murati ka thënë se mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.