Pasi udhëtoi për në Mars në vitin 1999, një robot hapësinor i NASA-s me vlerë 125 milionë Dollarë iu afrua shumë sipërfaqes së planetit të kuq dhe u shkatërrua.
Në fakt, ky nuk ishte fat i keq por një përllogaritje e gabuar e shkencëtarëve më të mirë të agjencisë hapësinore që harruan se programi i robotit operonte me njësitë imperiale (inç, milje) dhe jo metrike.
Por vetëm 6 vite më vonë, NASA përsëriti të njëjtin gabim me një tjetër robot që vlente 110 milionë Dollarë. Zgjuarsia dhe suksesi nuk përjashtojnë dështimin apo sabotimin e projektit tënd.
Matematicienia Ada Lovlejs ishte llogaritare e shkëlqyer, por kjo s’e pengoi që të humbte 3200 Paund në një bast të vetëm kumari. Kjo shumë sot është e barasvlefshme me 270.000 Paund.
Albert Ajnshtajn dilte gjithnjë në det me varkën e tij dhe çdo herë ia dilte ta kthente përmbys. Fizikanti shpëtohej gjithnjë dhe më e bukura është se nuk dinte as not.
Disa prej gabimeve janë trashanike, por edhe gazmore. Çarls Darvinit i pëlqente të hante speciet e reja që klasifikonte. Pas muajsh të tërë që kërkonte për një lloj zogu që nuk fluturonte, ai e gjeti por e ngatërroi me diçka tjetër.
Shkencëtari dhe miqtë e tij ishin duke shijuar vaktin kur Darvin kuptoi gabimin. Ai mblodhi menjëherë çfarë kishte mbetur nëpër pjata dhe i dërgoi në Londër. Ky do të ishte ekzemplari i parë në Angli ku zogu do të ‘rindërtohej’ nga gjella.
Zigmund Frojd ishte admirues i kokainës, si për vete edhe për pacientët por kjo e bëri aq paranojak sa në vitin 1904 gjatë një udhëtimi në Greqi ai mendonte se numrat 61 dhe 62 donin ta ‘kapnin’. Në hotel iu dha dhoma 31 dhe psikoanalisti u tmerrua sepse është gjysma e numrit 62.
Disa histori të tjera janë të çuditshme.
Napoleoni festoi firmosjen e një traktati me Rusinë duke organizuar një gjueti lepujsh. Por kur lepujt u lëshuan në fushë, doli që ishin të butë dhe jo të egër ndaj ata rendën drejt liderit francez që u largua me tërbim.
Përveç kësaj, ka edhe raste kur mëson se s’mund të dorëzohesh.
Përpara se të bëhej i pasur duke krijuar Sherlok Holmsin, Artur Konan Dojl u përpoq ta shiste veten si mjek. Pas javësh të tëra që nuk i vinte asnjë pacient, kur dikush hyri në zyrën e tij, ai nisi me entuziazëm të kontrollonte kollën e personit. Në atë moment vizitori rezultoi të ishte taksambledhësi që kishte ardhur për faturën e papaguar të gazit./KN