Limaj po e shqyrton ofertën, Kurti e pret deri në fundjavë, më pas “nuk e di se çfarë do të ndodhë”

0
155

Një ofertë e dorëzuar te Fatmir Limaj duket të jetë akti i fundit i Albin Kurtit për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend dhe formimin e qeverisë së re. Kryetari i Nismës Socialdemokrate po e shqyrton atë. Për të kuptuar nëse rezultati do të jetë pozitiv, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të presë deri në fund të javës, kur skadon afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Në rast se s’ka marrëveshje, Kurti thotë se “nuk e di se çfarë do të ndodhë” më pas.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Nismës Socialdemokrate nuk kanë qenë rregullisht në Kuvend ditëve të fundit, ndërsa të hënën seanca konstituive u ndërpre për herë të 50-të, pasi propozimi i vazhdueshëm i partisë së parë për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i mori vetëm 53 vota.

Albin Kurti dhe Fatmir Limaj u takuan të shtunën në një restorant në qendër të Prishtinës. Prej muajsh kanë qëndruar në kontakt. Disa herë janë takuar, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.

Zgjidhja e ngërçit duket se është në duart e liderit të partisë me më së shumti deputetë në Kuvend dhe atij të partisë me më së paku, të cilët shprehen optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.

Kurti tha se ia ka bërë Limajt një ofertë, për detajet e së cilës nuk pranoi të flasë të hënën në një konferencë për media.

“Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve, kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë, unë kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e sa më mirë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit e gjithashtu edhe qeverinë e re. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtes së saj”, tha ai.

Gazetarëve, Kurti u kërkoi “pak durim” deri në fund të javës, për të parë rezultatin e këtyre bisedimeve.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.

Ndërsa Limaj po e shqyrton ofertën “konkrete” të Kurtit, më herët ka bërë të ditura dy kërkesat konkrete të tij: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.

Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate tha se është “i bindur që do të arrihet një bashkëpunim që e tejkalon këtë krizë”.

“Nisma gjithmonë ka qenë e qartë. Ne jemi të gatshëm për cilindo koncept politik që e kalon këtë ngecje. Kuptohet që LVV-ja është partia e parë dhe i takon të ndërmarrë hapat e parë për tejkalimin e këtij ngërçi. Limaj ka paraqitur kërkesat e tij, sikurse edhe Kurti”, tha ai mbrëmë në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas tij, Kurti ka treguar gatishmëri për diskutim, ndërsa ka dëgjuar kërkesat e Limajt.

“Problemi është i thjeshtë – fituesi i zgjedhjeve është ai që e propozon kandidatin dhe duhet të lëshojë pe për të bashkëpunuar me partitë e tjera”, tha ai.

Limaj, që ka insistuar në postin e kryeparlamentarit pa e bërë partinë e tij pjesë të qeverisë së re, në një nga deklaratat e fundit para takimit në fundjavë, i është referuar Kurtit si “kryeministër”.

Njërëzit “duhet të flasin, duhet të marrin përgjegjësi”, tha Limaj, dhe se nga Nisma ka “dëshirë, gatishmëri, veprim konkret për ta gjetur një zgjidhje”.

Limaj tha se Kosova “ka votuar për qeverinë, për të pasur një kryeministër, një qeveri”, ndërsa shtoi se do ta ndihmojë LVV-në për ta bërë atë. “Është partia e parë që ka marrë shumicën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës”.

Disponimi në bisedimet Kurti-Limaj, nga të dy partitë përshkruhet si “shumë i mirë”.

Kurti ka thënë në fillim të këtij muaji se do të kenë bashkëpunim me Nismën edhe për Kuvendin, edhe për Qeverinë, duke përmendur se për Limajn kryeparlamentar “nuk ka pasur dakordim” brenda grupit parlamentar të LVV-së.

Për të qëndruar më tej në pushtet, që më 2 prill ai kishte nisur një përpjekje e cila e humbi shpejt intensitetin fillestar. Pasi bisedoi me përfaqësues të partive politike minoritare, nuk arriti t’i bindë të paktën tre deputetë që t’i sigurojë votat e nevojshme.

Deputeti egjiptian, Veton Berisha, deputetja boshnjake Duda Balje dhe ai i komunitetit goran, Adem Hoxha nuk ia kanë premtuar votat e tyre. Ata kishin kërkesa specifike për Kurtin të cilat nuk kishin marrë aprovim.

Kurti pa se përpjekja nuk ishte e lehtë, ndërsa dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Fatmir Limaj ishte i pari të cilin kryetari i LVV-së e takoi menjëherë pas diskutimeve me përfaqësuesit e pakicave. Më pas Kurti i dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ftesa për bashkëqeverisje, por u refuzua hapur.

15 prilli, dita të cilën presidentja Vjosa Osmani e caktoi për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, ishte ajo në të cilën Kurti pati thënë se po mendonin ta votonin edhe qeverinë e re.

Por kaluan mbi 3 muaj që seanca po ndërpritet çdo dy ditë.

Lëvizja Vetëvendosje po e hedh vazhdimisht në votim propozimin e saj për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili nuk po i merr votat e nevojshme. Partia e Kurtit po përpiqet ta bëjë të fshehtë votimin, pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi disa herë në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Situatën nuk e ndryshoi as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Partitë tjera shqiptare argumentojnë se ky aktgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LVV thonë se ai e lejon këtë mënyrë.

Sipas Kurtit, aktgjykimi i Kushtetueses thotë se “ka një mospërputhje midis gjuhës angleze dhe shqipe në Kushtetutë dhe se do të duhej që brenda 30 ditëve, jo të fillojë seanca konstituive, por të përmbyllet ajo”.

“Por, meqenëse nuk e keni ditur – pak a shumë kështu thotë Gjykata Kushtetuese – atëherë ja i keni edhe 30 ditë të tjera. Këto skadojnë këtë fundjavë, këtë të dielë, por Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë se çfarë ndodh nëse nuk konstituohet brenda 30 ditëve. Dhe unë mendoj që nuk ka pasur se si të thotë se çfarë do të ndodhë, sepse ajo ka thënë diçka që është e arsyes së shëndoshë nga vetë Kushtetuta për mosmarrëveshje politike midis grupeve parlamentare nuk është adresë gjykata, por tryeza e partive”, tha ai të hënën.

“Ne do të duhej që të merreshim vesh. Por ne nuk u morëm vesh, siç e dini, dhe tash nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve”./Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here