Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një postim në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar për reformat që i ka ndërmarrë qeveria në drejtësi.
Ndër të tjera, ai e ka përmendur Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, për të cilin tha se PDK po të mos e dërgonte në Kushtetuese, puna do të fillonte para fundit të vitit.
“Po të mos ishte për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kontestimin e ligjit nga ana e saj në Gjykatën Kushtetuese, tani do të ishim në proces e sipër të kompletimit të stafit të Byrosë, e cila punën do ta fillonte para fundit të vitit. Të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ua mohon kush. Por motivin dhe qëllimin nuk arrijnë ta fshehin dot“, shkroi Kurti.