Lidhja e Bizneseve kërkon nga ZRRE tërheqjen e propozimit për rritjen e çmimit të rrymës: I dëmshëm ekonomikisht

0
74

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), si përfaqësuese e komunitetit të biznesit vendor, ka kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës pas paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në nivel prej 15%.

“Ky propozim është i papranueshëm dhe ekonomikisht i dëmshëm, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të vendit dhe ndikimin që do të ketë mbi bizneset, prodhimin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, në këtë periudhë të ndjeshme për ekonominë e Kosovës, LBK thotë se përbën barrë shtesë për sektorin privat dhe për të gjithë konsumatorët. Ky vendim pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në rritjen e kostove të jetesës, uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe tkurrjen e aktivitetit ekonomik vendor.

Duke cituar të dhënave e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës,  Lidhja e Bizneseve ka dhënë disa statistika për periudhën shkurt 2025 krahasuar me shkurt 2024:

– Eksportet kanë pësuar rënie prej -8.9%.
– Importet kanë shënuar rritje prej +12.7%.

“Ky disbalancë tregon qartë përkeqësimin e bilancit tregtar dhe dobësimin e sektorit të prodhimit vendor, i cili tashmë përballet me sfida të shumta si mungesa e përkrahjes, kostoja e lartë e lëndës së parë dhe fuqisë punëtore, dhe tani edhe me rritje të çmimit të energjisë”.

LBK thoë se rritja e tarifave të energjisë elektrike pritet të ndikojë negativisht në:

– Rritjen e kostos së prodhimit për bizneset vendore;
– Uljen e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregun vendor dhe ndërkombëtar;
– Rritjen e çmimeve për konsumatorët fundorë;
– Zvogëlimin e investimeve të reja dhe largimin e investitorëve potencialë;
– Rritjen e papunësisë si rezultat i vështirësive në sektorin privat.

Për më tepër, ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, të cilët tashmë po përballen me kosto të lartë jetese dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve në sektorët esencialë.

LBK kërkon me ngulm nga ZRrE që:

1. Të tërheqë menjëherë këtë propozim për rritje të tarifave.
2. Të zhvillojë konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara për të identifikuar zgjidhje që nuk dëmtojnë ekonominë vendore.
3. Të ketë parasysh ndikimin ekonomik dhe social që ky vendim do të ketë mbi sektorin privat, konsumatorët dhe ekonominë e përgjithshme të vendit.

“Kosova ka nevojë për politika që nxisin zhvillimin ekonomik, fuqizojnë prodhimin vendor dhe mbrojnë mirëqenien e qytetarëve, e jo për masa që rëndojnë më tej situatën ekonomike”./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here