Kryetarët e tri partive më të mëdha opozitare kanë mbajtur takime në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të premten pak pasi kjo ambasadë njoftoi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën.
Fillimisht është raportuar për praninë e Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike, ndërsa KOHA ka mësuar se në Ambasadën amerikane për takime ka pasur edhe përfaqësues të partive të tjera. E siç ka shkruar agjencia “Ekonomia Online”, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë pasur takim me përfaqësues amerikanë rreth orës 15:00.
Takimi mbahet pak pasi SHBA-ja njoftoi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Vendimi ka nxitur reagime të ashpra. Krasniqi i PDK-së bëri thirrje që partitë properëndimore “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”, ndërsa Abdixhiku i LDK-së tha se është “koha të bëhemi bashkë, t’i japim fund kësaj çmendurie politike”.