Shpesh mund të duket sikur disa njerëz thjesht kanë të gjithë fatin e botës. Fati sipas definicionit bazohet në rastësi, por sipas Richard Wiseman, profesor psikologjie dhe autor i “The Luck Factor”, veprimet dhe mendësia juaj mund të rrisin shanset tuaja për të qenë me fat.
Në studimin e tij 10-vjeçar të botuar në vitin 2003, Wiseman foli me 400 njerëz të cilët ose u vetëidentifikuan si “me fat” ose “të pafat” dhe zbuloi se ata që vazhdimisht kishin fat të mirë, profesionalisht dhe personalisht, reagonin ndaj situatave në mënyra të ngjashme. Ja katër tiparet e zakonshme që ai gjeti të përbashkëta me njerëzit me fat:
1. Ata kërcejnë sapo u shfaqen mundësitë.
Njerëzit me fat nuk janë të vendosur në një mënyrë fikse për të arritur qëllimet e tyre. Ky lloj fleksibiliteti i vendos ata në situata ku kanë më shumë gjasa të takohen dhe të lidhen me njerëz të rinj, sipas studimit të Wiseman.
“Është e kollajtë për njerëzit që të shterojnë mundësitë në jetën e tyre. Vazhdoni të flisni me të njëjtët njerëz në të njëjtën mënyrë. Vazhdoni të ndiqni të njëjtën rrugë për në punë dhe kthim. Vazhdoni të shkoni në të njëjtat vende me pushime,” shkruan Wiseman në studim. “Por përvojat e reja apo edhe të rastësishme sjellin potencialin për mundësi të reja.”
2. Ata dëgjojnë intuitën e tyre.
Testet e personalitetit zbuluan se njerëzit e pafat në përgjithësi janë më të tensionuar dhe më të shqetësuar, thotë Wiseman. Ky ankth mund të çojë në pavendosmëri. Njerëzit me fat, nga ana tjetër, shpesh marrin vendime të shpejta duke dëgjuar intuitën e tyre. Duke i besuar intuitës, ata kanë më shumë gjasa të ndërmarrin veprime dhe të ekspozohen ndaj mundësive të reja.
3. Janë optimistë.
Në studimin e Wiseman, njerëzit me fat shpesh gjenin diçka pozitive në lidhje me një situatë “të pafat”. Në një eksperiment, ai u kërkoi njerëzve të imagjinonin një skenar ku ata presin në një bankë kur “një grabitës i armatosur hyn në bankë, qëllon dhe plumbi i godet në krah”.
A është kjo ngjarje me fat apo e pafat?
“Njerëzit e pafat prireshin të thoshin se kjo do të ishte ngjarje jashtëzakonisht e pafat dhe se ishte fati i tyre i keq që ndodheshin në bankë gjatë grabitjes,” shkruan Wiseman.
“Në të kundërt, njerëzit me fat e shihnin skenarin si shumë më me fat dhe shpesh komentonin spontanisht se si situata mund të kishte qenë shumë më e keqe se aq. Ndërsa një pjesëmarrës me fat komentoi, ‘Është fat sepse mund të të qëllojnë në kokë. Gjithashtu, mund ta shesësh historinë në gazeta dhe të fitosh para.”
4. Janë elastikë.
Njerëzit me fat rikthehen edhe kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. “Ata priren të imagjinojnë spontanisht se si fati i keq që ata hasin mund të ishte më i keq dhe, duke e bërë këtë, ata ndjehen shumë më mirë për veten dhe jetën e tyre,” sipas Wiseman. “Kjo, nga ana tjetër, ndihmon në mbajtjen e pritshmërive të tyre për të ardhmen të larta dhe rrit gjasat që ata të vazhdojnë të jetojnë një jetë me fat.” /Burimi “BOTA.AL”