Nëse ka një tipar që e dallon menjëherë FC Barcelonën nën drejtimin e Hansi Flickut, ai është fuqia sulmuese. Klubi katalanas ka ndërtuar një identitet ultra-ofensiv, ku rastet dhe golat vijnë me bollëk, ndërsa statistikat që nga ardhja e trajnerit gjerman janë mbresëlënëse.
Ky sistem ka ndikuar pozitivisht edhe te lojtarë që tradicionalisht nuk kanë qenë shumë prodhimtarë. Ferran Torres, për shembull, e ka rritur ndjeshëm rendimentin e tij në një Barcelonë që funksionon si makineri për krijimin e rasteve. Pikërisht për këtë arsye, një statistikë e publikuar nga SPORT ka habitur opinionin sportiv: Robert Lewandowski ende nuk ka shënuar asnjë gol në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Sulmuesi polak ka qenë pjesë e pesë nga gjashtë ndeshjet e deritanishme në këtë kompeticion, qoftë si titullar apo si zëvendësues, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Herën e fundit që Lewandowski shënoi në Champions me fanellën e Barcelonës ishte sezonin e kaluar ndaj Borussia Dortmundit në Montjuïc, ku realizoi dy gola.
Për një futbollist që renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve, pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, kjo përbën një rënie të dukshme. Edhe pse roli i tij këtë sezon është zvogëluar dhe ai shpesh ka hyrë në lojë nga stoli, shifrat flasin qartë: dhjetë gola në të gjitha garat, por asnjë në kompeticionin më prestigjioz evropian.
Situata mund të ndryshojë së shpejti. Lewandowski pritet të ketë më shumë hapësira në ndeshjen ndaj Slavia Prague, pasi Ferran Torres është jashtë për shkak dëmtimi dhe do të mungojë rreth dhjetë ditë. Kjo e përjashton atë nga kjo sfidë dhe e bën të dyshimtë edhe për ndeshjen e fundit të Fazës së Ligës ndaj Kopenhagenit.
Barcelona synon jo vetëm fitoret, por edhe përmirësimin e golavarazhit, me objektivin për t’u renditur në tetë vendet e para. Në këtë drejtim, kontributi i Lewandowskit mbetet kyç. Një gol i polakut në këto dy ndeshje duket më shumë se i mundshëm, por katalanasit shpresojnë që eksperienca dhe instinkti i tij të shpërthejnë pikërisht atëherë kur ekipi ka më shumë nevojë.














































