Bayerni i Mynihut kthehet me prepotencë te suksesi pas dy barazimeve radhazi në Bundesligë me të njëjtin rezultat 1-1, ecuri që i hapi oreksin Borussias së Dortmundit sa i përket garës së titullit. Ekipi bavarez fitoi thellë 4-0 përballë Union Berlinit, duke e çuar në shtatë pikë diferencën me Dortmundin, që luan këtë të diel në fushën e Kolnit.
Sfida e “Allianz Arenas” nuk pati shumë histori, pasi skuadra e Nagelsmannit shënoi tri herë brenda pjesës së parë. E zhbllokoi takimin Coman në minutën e 16-të, për të ardhur më pas te goli i 19-vjeçarit Nianzou. Në fundin e këtij fraksioni kampionët në fuqi të Gjermanisë fituan një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Robert Lewandowski.
Sulmuesi polak gjeti golin e dytë personal sapo nisi pjesa e dytë, pas pasimit të marrë nga Mussiala, i 29-ti finalizim për të gjatë këtij sezoni në 27 ndeshje të Bundesligës.
Me epërsinë e katër golave, Bayerni nuk harxhoi shumë energji në minutat e mbetura të lojës, duke administruar me qetësi rezultatin./SS