E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona duket gjithnjë e më e pasigurt, teksa raportimet nga media saudite “Al-Riyadiyah” bëjnë të ditur se sulmuesi polak është në radarin e klubeve të mëdha të Arabisë Saudite, shkruan 04 Online.
Al-Nassr dhe Al-Hilal, dy prej skuadrave më të fuqishme në ligën saudite, janë shprehur të interesuara për ta transferuar 35-vjeçarin gjatë kësaj vere, duke i ofruar atij një mundësi të re për të vazhduar karrierën jashtë Evropës.
Një largim i mundshëm i Lewandowskit do të hapte një kapitull të ri për Barcelonën, që do të detyrohej të kërkojë zëvendësim të denjë në qendër të sulmit gjatë merkatos së verës.
Pavarësisht spekulimeve, Lewandowski mbetet një nga figurat kryesore të katalanasve. Në sezonin që lamë pas, ai regjistroi një formë të jashtëzakonshme, me 42 gola në 52 ndeshje dhe ndihmoi Barcelonën të fitojë tripletën vendore: La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës./04 Online