Letër e shkurtër publike për kolegët gazetarë, shoqërinë civile dhe për politikanët në Serbi

0
432

Ka një thënie ogurzezë në Ballkanin tonë shkëmbor që çdo e treta gjeneratë është e mallkuar të kalojë nëpër një luftë. Kanë kaluar 24 vjet që nga përfundimi i luftës sonë të fundit. Mendoj që duhet ta shtrojmë pyetjen esenciale: a jemi vërtet të gatshëm që çdo 40 vite të kalojmë në po të njëjtën tragjedi? A jemi vërtet të gatshëm që këtë mallkim ta bartim te fëmijët dhe nipat e mbesat tona?

Shqiptarët dhe serbët janë gjermanët dhe francezët e Ballkanit. Ne kemi po të njëjtin potencial shkatërrues por edhe potencialin kreativ dhe punues që ta ndërtojmë një mini-Evropë në Ballkan. Mendoj që ka ardhur koha ta flakim të parën dhe ta përqafojmë me gjithçka të dytën. Jemi vërtet në fund të rrugës.

Personalisht, kam qenë ithtar dhe ushtar i flaktë i idesë së korrigjimit të kufijve sepse e shihja si një rrugë kalimi drejt realizimit të ëndrrës sime, bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet. Dua të bëhem shumë i sinqertë. E doja këtë ide dhe angazhohesha për këtë ide edhe pse e dija shumë mirë që korrigjimi i kufijve do të kishte efekt domino kudo në rajon. Si nacionalist shqiptar, mua më interesonte Shqipëria dhe shqiptarët, pavarësisht çfarë do të bëhej me Maqedoninë, Malin e Zi apo Bosnjën. Nëse për një Shqipëri më të madhe, çmimi do të ishte krijimi i një Serbie më të madhe, për mua ishte tërësisht e pranueshme.

Tani, disa vite pas, e kam kuptuar që ky projekt ka dështuar kryekëput për shkak që fuqitë e mëdha perëndimore me ngulm mbrojtën, dhe do të vazhdojnë të mbrojnë, investimin e tyre në krijimin dhe stabilizimin e Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës. Dhe, në rrugë e sipër, do ta shkelin këdo që u del para. Fati i mikut tim Hashim Thaçi është dëshmia më e mirë për këtë.

Tani përballë kemi të ashtuquajturin propozim evropian. “Albanian Post” ka pasur nderin që të jetë një lloj gazete zyrtare e të gjithë procesit. Koha e ka dëshmuar që cdo raportim i yni thelbësor (përmbajtja e planit, futja e Asociacionit në implementim, afati i fundit të shkurtit, shkopinjtë dhe karotat), pavarësisht mohimeve fillestare, ka rezultuar tërësisht i saktë.

Personalisht, nuk e dua fare këtë projekt, por, nga pozita ku jam e di shumë mirë që, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, mospranimi i marrëveshjes është shumë më i keq sesa pranimi i saj. Nëse e refuzojmë marrëveshjen dhe vazhdojmë me projeksionet absurde të dëshirave tona nacionaliste, duke i kthyer ato në politikë zyrtare, jo vetëm që Perëndimi do ta na dënojë deri në poshtërim dhe nënshtrim, por ka shumë rrezik që do të përfundojmë në luftë. Por jo si ajo e fundit. Kjo do të ishte shumë më e përgjakshme, qoftë edhe nëse zgjat vetëm tre ditë. Dhe pastaj do të jenë fuqitë e mëdha që do të vendosin për ne, pa na pyetur fare.

Siç është thënë në dokumentin e fundit të publikuar nga “Albanian Post”, të shkruar nga një zyrtar shumë i lartë i një vendi të madh perëndimor, një Jalltë e re është tërësisht e mundur. Dhe në atë Jalltë te re, ne, shqiptarët dhe serbët, Kosova e Serbia, nuk do të pyetemi fare. Jo vetëm që nuk do të pyetemi, por nuk do të kemi të drejtë të kërkojmë qoftë edhe një përfitim të vetëm.

Kjo marrëveshje nuk i kënaq apetitet tona, shkon kundër çdo gjëje që nacionalistët shqiptarë apo serbë do ta dëshironin, përfshirë edhe mua. Por, kjo marrëveshje sjell normalitet e bashkëpunim, sjell paqe. Dhe mbi të gjitha, pranimi i saj nga Kosova e Serbia, e obligon Perëndimin që të kujdeset më shumë për ne.

Personalisht nuk kam besim te liderët si Albin Kurti. Miku im Edi Rama vërtet ka ego të madhe, por Albin Kurti shkon edhe më larg. Ndonjëherë dyshoj që i mungon tërësisht empatia për të kuptuar pasojat e veprimeve të veta. Si qytetar i thjeshtë, unë isha dhe vazhdoj të jem kundër Albin Kurtit, por, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje asnjëherë nuk do ta gjykoj dhe përherë do ta mbroj.

Nëse Albin Kurti bëhet shkak që nipat dhe mbesat e mi të mos trashëgojnë mallkimet ballkanike, unë do ta përkrah me gjithçka. Ju lutem, për hir të nipave dhe mbesave tuaj, ndihmojeni Aleksandër Vucicin që ta bëjë të njëjtën.

Për herë të parë në histori, le të vendosim ne për fatin tonë, për paqen tonë. Le të mos lejojmë që nesër dikush tjetër të na përjashtojë tërësisht nga vendimmarrja.

Shkruan: Baton HAXHIU

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here