Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë në futboll. Sulmuesi portugez u nderua me një “Rekord Guinness” përpara ndeshjes kundër Danimarkës, në çerekfinalet e “Nations League”.
Kapiteni i Portugalisë ka arritur një tjetër sukses prestigjioz, pasi është bërë futbollisti me më shumë fitore në historinë e kombëtareve. Ai e arriti këtë rekord vitin e kaluar, kur Portugalia mposhti Poloninë 5-1, në një ndeshje ku Ronaldo shënoi dy gola.
Me këtë sukses, CR7 ka regjistruar fitoren e tij të 132-të me kombëtaren, duke kaluar ish-shokun e tij të skuadrës te Real Madridi, Sergio Ramos, i cili e mbante rekordin në fjalë me 131 fitore me Spanjën.
Ky është një rekord që duket i vështirë për t’u thyer në të ardhmen e afërt, pasi shumica e lojtarëve që i janë afruar kësaj shifre tashmë janë tërhequr nga futbolli. Iker Casillas mban vendin e tretë me 121 fitore, i ndjekur nga Lionel Messi me 119 dhe Andrés Guardado që mbyll top 5-shen me 102 fitore me Meksikën.
Ky nuk është rekordi i parë “Guinness” për Ronaldon. Ai tashmë është i njohur si:
Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve, me më shumë se 120 gola.
Lojtari i parë që ka shënuar 100 gola në Champions League.
Sportisti me më shumë ndjekës në Instagram, mbi 500 milionë fansa.
Një tjetër arritje historike për një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futboll.