LDK: Qeveria Kurti po i kap institucionet e drejtësisë, po anashkalohet Komisioni i Venecias

0
210

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka kapur institucionet e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se Qeveria pasi ka kapur shumicën e institucioneve, ua ka mësyrë edhe atyre të pavarura.

Sipas saj, nismat e saj legjislative kanë një qëllim, sigurimin e kontrollit politik mbi të gjitha institucionet edhe ato të pavarura.

Ajo ka thënë se tendenca e Qeverisë për ta anashkaluar Komisionin e Venecias është shqetësuese.

“Anashkalimi i Komisionit të Venecias me qëllim të vazhdimit të kapjes së institucioneve dhe shkelja e Kushtetutës për përfitim elektoral është ngufatje për demokracinë”, ka thënë ajo.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka shprehur shqetësimin e LDK-së për disa nisma legjislative të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Ai në një konferencë për media ka thënë se me pretekstin për çkapje, Qeveria po mundohet ta kapë shtetin përkatësisht institucionet e drejtësisë.

“Shqetësim është se si po provohet që rekomandimet e Komisionit të Venecias të shfrytëzohen për legjitimim të qëllimeve jo të mira të institucioneve të Kosovës. Marrim Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Qeveria e ka dërguar në Komisionin e Venecias, dhe akoma pa e përfunduar ky komision punën e vet, Qeveria e ka proceduar në Kuvend. Këta edhe pse i dërgojnë në Komisionin e Venecias, sërish nuk i presin komentet. Ne e shohim si tendencë për keqpërdorim”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështjet që lidhen me Projektligjin për KPK-në do të sillet për miratim së shpejti në Kuvend.

Ai ka thënë se ky dokument duhet të tërhiqet pasi përmbajtja e tij është klasike për kapjen e këtij institucioni.

“Propozimi për përbërjen e Këshillit Prokurorial. Mënyra e zgjedhjes së tyre (anëtarëve politikë në KPK) është që të bëhen me shumicë të thjeshtë. Ajo çka është shqetësimi kryesor në këtë projektligj është shumica speciale. Për votime të rëndësishme, disiplinimin e tyre, shkarkimin e tyre duhet votuar me shumicë të kualifikuar 5 nga 7 anëtarë por që 3 nga këta 5 anëtarë duhet të jenë 3 njerëzit që nuk janë kryeprokuror. LDK-ja shpreh shqetësimin e saj për formën se si ka shkuar ky proces deri më sot pa përpjekje për një konsensus politikë. Kanë vendosur që ta dërgojnë një koncept dokument e draft komentet që vijnë nga komisioni i Venecias flasin për probleme serioze”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se vlerësimi për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka qenë fragjil gjithmonë, por kjo nuk do të thotë se në emër të ç’ kapjes të kapet një institucion.

“Çështje tjetër ka të bëjë me Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Vlerësimet e opozitës e detyrojnë kryetarin e Kuvendit që të jap zotim publik që ky projektligj nuk duhet të votohet dhe të dërgohet për komente në Komisionin e Venecias. Nuk mundet një organ i tillë të udhëhiqet një person i vetëm dhe ai të zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”, ka thënë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here