Dega e LDK-së në Prizren ka mirëpritur veprimet e ndërmarra nga Prokuroria Themelore ndaj disa zyrtarëve publikë dhe një përfaqësuesi të një kompanie private për vepra të dyshuara korruptive, thuhet në reagimin e saj, përcjell 04 Online.
LDK dënon çdo abuzim me pozitën zyrtare dhe shpërdorim të parasë publike, duke ritheksuar angazhimin e saj për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ajo kërkon që drejtësia të veprojë pa ndikime politike edhe në rastet tjera të denoncuara.
Reagimi i plotë i LDK-së në Prizren:
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Prizren
Reagim Publik
Kundër Korrupsionit – Për Shtet të së Drejtës
LDK në Prizren mirëpret lajmin për veprimet konkrete nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj disa zyrtarëve publikë dhe një personi përgjegjës të një kompanie, lidhur me vepra të dyshuara korruptive.
LDK në Prizren dënon ashpër çdo formë të abuzimit me pozitën zyrtare, shpërdorimin e parasë publike dhe çdo veprim që cenon besimin e qytetarëve në institucionet tona.
Ne ritheksojmë qëndrimin tonë të palëkundur për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe për forcimin e sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të veprojnë me profesionalizëm dhe pa ndikime politike, edhe në rastet tjera, për të cilat LDK ka bërë edhe denoncime konkrete.
LDK – Dega në Prizren do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar, etikës institucionale dhe ndërtimit të një qeverisje të përgjegjshme.
LDK – PRIZREN