Dega e LDK-së në Prizren përmes një aksioni sumbolik ka shprehur shqetësimin dhe qëndrimin kundër familjarizimit dhe korrupsionit në komunën e Prizrenit.
Siç ka thënë LDK-ja në Prizren, ky aksion është realizuar për ta denoncuar mënyrën abuzive dhe të papranueshme të punësimeve.
“Ky është aksioni i dytë që LDK- Dega në Prizren, e realizon për ta denoncuar mënyrën abuzive dhe të papranueshme të punësimeve në komunën e Prizrenit.
Për LDK-në, qeverisja e Shaqir Totajt në Prizren, është vu në shërbim të familjes Totaj dhe vartësve të tij.
Pas punësimit të djalit të Shaqir Totajt, tashmë i erdhi radha edhe nuses së djalit të tij, që të punësohet nga vjehrri i saj.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës – Dega në Prizren, një veprim i tillë jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet të jetë edhe i dënueshëm nga instancat e drejtësisë. Pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo në shërbim të familjarëve të Shaqir Totajt.
Kjo formë dhe logjikë e punësimeve, është veprim kundër çdo të riu në komunën tonë. Mesazhi që i jepet të rinjëve prizrenas, është se institucionet publike komunale dhe shërbimi civil, janë të rezervuara për familjarët dhe farefisin e kryetarit Totaj dhe oborrtarëve të tij, kurse të rinjtë tjerët duhet të marrin rrugët e botës për një vend pune dhe për jetë më të mirë.
Prizreni meriton qeverisje tjetër!
Prizreni meriton qeverisje që do jetë në shërbim të prizrenasve dhe jo kundër tyre!”, thuhet në komunikatën e LDK-së në Prizren./04 Online