Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se gjatë tri viteve të fundit, rritja mesatare ekonomike në vend ka qenë vetëm 3.6 për qind.
Sipas LDK-së, Qeveria Kurti për ta bërë veten të dukët më mirë, llogaritë edhe rritjen ekonomike gjatë vitit postpandemik, vit ky që sipas tyre, krahasohet me vitin e mbylljes totale.
“Natyrshëm, çdo vit krahasuar me mbylljen totale e kolapsin ekonomik del rritje. Sepse gjatë mbylljes totale e krizës historike – siç ishte ajo e pandemisë – kishte rënie të thellë e të paprecedentë ekonomike. Krahasimi me pandeminë është mashtrim”.
“Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare ekonomike ishte 4.7%. Kjo Qeveri, nuk po arrin të mbërrijë as mesataren e 10 viteve të fundit. Me këtë trend, Kosovës do t’i duhen 40 vite për të arritur Kroacinë”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, sipas LDK-së arsyeja për një rritje jo të mjaftueshme ekonomike është mungesa e investimeve kapitale, ku thanë se në 3 vitet e fundit, investimet qendrore janë vetëm 11 për qind.
“Gjersa, Qeveria në këto tre vite ka ndarë 811 milionë euro para si ndihmë. Pa investime e projekte kapitale, nuk mund të ketë zhvillim. Propaganda nuk e bën ekonominë. Fundja, mirëqenia e zhvillimi s’mund të fshihen sepse ato i ndjenjë qytetarët tanë në çdo hap të tyre”, thuhet në reagim.