Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren ka bërë publike listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale, duke hyrë fuqishëm në garën zgjedhore të 12 tetorit, shkruan 04 Online.
Kandidat për kryetar të komunës është Driton Selmanaj, i cili ka theksuar se ekipi i LDK-së këtë vit është i përforcuar me prurje të reja, të cilat, sipas tij, do t’i japin energji dhe vizion të ri qeverisjes lokale.
Njoftimi i plotë i Driton Selmanajt
Të dashur qytetarë të Prizrenit,
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Dega në Prizren.
Pas takimeve dhe konsulltimeve të shumta, me krenari dhe përgjegjësi të lartë, ju prezantojmë listën tonë zgjedhore për Asamblenë Komunale të Prizrenit – një ekip të përbërë nga profesionistë të dalluar, aktivistë të përkushtuar dhe përfaqësues të fuqishëm të çdo lagjeje, komuniteti dhe grupmoshe në qytetin tonë.
Ju siguroj se kjo listë është ndërtuar mbi parime të meritës, përfaqësimit të barabartë dhe angazhimit të sinqertë qytetar.
Prizreni ka nevojë për përfaqësues të ndershëm dhe që e duan qytetin tonë si shtëpinë e tyre.
Me këtë listë, ne ofrojmë pikërisht këtë, njerëz të pastër, të përkushtuar dhe të aftë për ta çuar Prizrenin përpara!
Na jepni mbështetjen tuaj – dhe bashkë do të ndërtojmë Prizrenin që e duam dhe e meritojmë!
12 tetori është dita juaj!
LDK është gati për Prizrenin tonë!