Dega e LDK-së në Prizren ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Tusuzit, duke theksuar se kërkesa për drejtësi për krimet serbe mbetet e pandalshme, shkruan 04 Online.
Në njoftim, LDK vlerëson kontributin e “Lagjes së Trimave”, e cila, sipas tyre, me krenari e mban këtë emër për sakrificat në shërbim të lirisë së Kosovës.
“”Lagjja e Trimave” në Prizren e mban me krenari këtë emër, sepse ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës.
Sot kujtojmë me nderim 27 martirët e masakrës së Tusuzit – burra dhe gra që nuk u larguan nga shtëpitë e tyre përballë mizorive të pushtuesve serbë.
Janë këta martirët që na mësojnë çdo të thotë guxim, dashuri për vendin dhe sakrificë e pastër. Kosova e lirë është ndërtuar mbi gjakun e tyre, mbi dhimbjen e familjarëve të tyre, dhe mbi kujtimin që nuk do të shuhet kurrë.
Ata që ranë për lirinë e Kosovës janë themeli mbi të cilin u ndërtua shteti ynë i pavarur.
Zëri ynë për drejtësi nuk do të heshtë kurrë. Do të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë për të gjitha krimet e kryera ndaj atyre që ëndërruan dhe luftuan për një Kosovë të lirë.
Lavdi martirëve të Tusuzit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë!
Lavdi përjetë!”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Prizren./04 Online