Pas ngritjes së aktakuzës ndaj shtatë zyrtarëve komunalë dhe një përfaqësuesi të një kompanie private për korrupsion dhe keqpërdorim detyre, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, vazhdon të heshtë, thuhet në reagimin e LDK-së në këtë komunë, përcjell 04 Online.
Sipas LDK-së, mungesa e reagimit publik pas 48 orësh është shqetësuese dhe ngre pikëpyetje mbi rolin dhe qëndrimin e tij ndaj këtij skandali.
Reagimi i plotë i LDK-së në Prizren:
Heshtja e Kryetarit Totaj është bashkëfajësi!
Para dy dite u bë publik lajmi për ngritjen e aktakuzës ndaj shtatë zyrtarëve komunalë dhe një personi përgjegjës të një kompanie private në Prizren, për dyshime të rënda të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Edhe më shqetësuese është heshtja e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, i cili edhe pas 48 ore, nuk ka marrë asnjë qëndrim publik lidhur me këtë skandal që rëndon mbi institucionin që ai udhëheq.
Mosreagimi i Totajt dëshmon se ai ose nuk e konsideron të rëndësishme transparencën ndaj publikut, ose më keq, ai ka pas informata për veprimet e kundërligjshme të zyrtarëve të tij dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.
Në mungesë të një qëndrimi të qartë, qytetarët me të drejtë pyesin: për kë punon kryetari Totaj? Për interesin publik apo për mbrojtjen e interesave të individëve brenda qeverisjes së tij? Përgjigja, deri tani, është një heshtje që nuk mund të arsyetohet.
Institucionet e Prizrenit nuk mund të funksionojnë me kulturë heshtjeje ose solidaritet me kulturën abuzive të pushtetit.
Qytetarët e Prizrenit meritojnë transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi.
LDK – PRIZREN