Lidhja Demokratik e Kosovës ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim me sektorin e energjisë elektrike.
Përmes një postimi në Facebook, LDK-ja ka shkruar se Blloku A5 i Termocentralit Kosova A prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të mbuluar rreth 13% të nevojave për Kosovë.
Sipas LDK-së, ky bllok është lënë jashtë funksioni qe 9 muaj me radhë.
“Për çdo ditë që kemi blerë energji elektrike për të mbushur zbrazëtirën që do të mund ta mbulonte blloku A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor. Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku nga pushteti, nuk do të kishte ngritje të çmimit të rrymës prej 15%”, ka shkruar LDK-ja.
Sipas kësaj partie, kjo qeveri është e paaftë.
“Kjo paaftësi po na kushton shtrenjtë”, ka shkruar LDK-ja.