Pavarësisht se tashmë është pjesë e kampionatit turk, Mario Balotelli nuk mund të qëndrojë pa komentuar rreth Serie A dhe lojtarëve që aktivizohen në elitën e futbollit italian. Në një intervistë për “TvPlay”, SuperMario theksoi se Lautaro Martinez është aktualisht një lojtar më i mirë se Robert Lewandowski i Barcelonës ndërsa mes Suarez dhe Ibrahimovic, zgjodhi uruguajanin.
“Lautaro është me të vërtetë një sulmues shumë i fortë. Nëse mendoj për të gjithë sulmuesit aktualë, janë të pakta ata që më duken më të mirë se ai. Aktualisht, Lautaro është më lart se Lewandowski.
Kë zgjedh mes Osimhen dhe Lautaros? Do të ishte fenomenale nëse ata do të luanin bashkë në një skuadër. Mendoj se sulmuesi më i mirë në këto kohët e fundit është padyshim Karim Benzema i epokës së Real Madrid.
Suarez i Liverpool apo Ibra i kohës së Interit? Zgjedh Suarez, ishte i pabesueshëm. Pastaj për Ibrën mendoj se versioni i tij më i mirë ka qenë te Inter, në epokën te zikaltërit është shfaqur më mirë se te Juventus dhe Milan”, u shpreh Balotelli./SS