Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kritikuar ashpër Real Madrid për fitoren 2-1 ndaj Rayo Vallecano, duke vënë në dyshim vendimet e arbitrave që favorizuan “Los Blancos”.
Fitorja u vendos në minutën e 100-të me një penallti të Kylian Mbappe, ndërsa tifozët e Rayo u ankuan për kohën e jashtëzakonshme të shtuar prej nëntë minutash.
Laporta tha për Diario AS:
“Shikova ndeshjen Real Madrid – Rayo Vallecano. Nuk e kuptoj nga erdhën ato nëntë ose dhjetë minuta shtesë. Pashë disa situata ku lojtarët po mësohen të bien lehtësisht në zonën e penalltisë, duke pretenduar se janë goditur, dhe kjo duhet të dënohet. Rayo u trajtua në mënyrë të padrejtë.”
Ai kritikoi gjithashtu kanalin televiziv të Real Madrid, i cili shpesh akuzon arbitrat për padrejtësi kundër ekipit të tyre, ndërsa këtë herë mbeti i heshtur:
“Po flasim për një klub që ka një kanal televiziv të dedikuar për të bërë pretendime dhe për të thënë se arbitrat gjithmonë janë të paragjykuar kundër tyre. Tani nuk thonë asgjë? Çfarë po thonë tani? Kjo nuk po ndikon tek ekipi i tyre? Ata duhet të rregullojnë sjelljen e tyre.”
Laporta shtoi se e kupton se gabimet mund të ndodhin, por nuk duhet të jenë gjithmonë njëanshme, duke theksuar se situatat e tilla duhet të korrigjohen.
Ky reagim i Laportas vjen pak para ndeshjes së Barcelonës në Copa del Rey kundër Albacete dhe shërben si paralajmërim për çështjet e arbitrimit në La Liga, ku rivaliteti mes Barcelonës dhe Real Madrid mbetet gjithmonë i tensionuar./Express













































