Çdo vit duket më i ri dhe më i ri se viti që lamë pas. Asgjë nuk është më e njëjtë brenda sekondave, ndryshon, dhe ky ndryshim sjell risi dhe shpresë. Truri jonë i etur për hapa drejt njohjes, kultivon veten me pretendimet e së nesërmes për vizione të reja, pa dyshim që çdo e nesërme është më e bukur se një ditë e shkuar dhe lind pyetja: A do ta jetosh njëjtë të nesërmen sikur të sotmen ?! Përgjigja është: “E sotmja qe monotone krahas asaj që po vjen! ” Vetë njeriu është qenie e ndryshueshme brenda një evolucioni absolut. Çdo fillim epoke konsiderohet me lumturi më të thellë, vetëm mendimi i kthimit në një interval të gjatë kohor thirret në lumturi të pashpjegueshme me ndjenja fëmijërore. Pse antika greke është gjithmonë e bukur? Nuk ka rëndësi. “Në krahasim me të shkuarën ne shijojmë të gjitha kulturat dhe prodhimet e tyre. “- thotë Nietzsche. Prapë duhet t’i nënshtrohemi përkohësisht me gëzim dhe drithërimë.
T’i kthehemi vetes, ta lejojmë dritën të shpërfaqë kulturën dhe artin tonë. Ta vlerësojmë atë që e ndiejmë, atë zotësi nga e shkuara e cila çdo ditë vyshket në vete, por ajo shijon veten e ne nuk e aktivizojmë përtej vetes së saj. Ta lejojmë dritën e kritikës së artit ta shpërfaqë sinqeritetin krijues. Kritikët e kanë të vështirë të shpallin luftën e sinqeritetit për të mirën e artit dhe veçantinë e artistit.
Dikush do të thotë që të jesh kritik nuk është punë e vështirë, sepse gjithkush mund të kritikojë diçka, qoftë ajo vepër arti ose konstrukt shtëpie, apo makinë, çkado, gjithnjë ka vrima të hapura. Por, nëse në tërësi shpreh mendimin për krijimin, qëllimin, mesazhin, ngjashmërinë, idenë, njohjen, atëherë ky mjaltë merr përmasa të tjera dhe bletët njerëzore bëhen të çuditshme sepse në kupën e tyre thithin shpesh më të hidhurën, të pëlqyeshmen (kjo ka rëndësi), e kritika luan rolin e gazetarit që mbledh informacione dhe publikon dëshirat.
Kritika e artit ngre cilësinë e veprës dhe orienton bletët te lulet më të mira, e sot kritika e artit ende është sikur ai ariu i strukur në shpellë gjatë netëve të ftohta dimërore. Viti 2023, viti i ariut të fjetur në kritikën e artit. Vepra artistike kishte shumëçka, letërsi pa limit, poezi përtej çdo letërsie ( më shumë shkruajnë sesa që lexojnë ), muzikë për nervat e gjithkujt dhe askujt, gjithçka, për veshët e dikujt asgjë, por mjafton të lëvizë diçka, të tërhiqen dy vija në hapësirën qiellore blu, pastaj vija e tretë lehtë pozicionohet dhe fillon të ndjekë ritmin e saj edhe vija e katërt. Duhet të veprohet, por të pranohet edhe kritika e artit, e cila zhvesh anën filozofike, estetike, historike, përmbajtësore e stilistike të veprave. Kritika e pastër nuk denigron, nuk ofendon e nuk përbuz veprën artisitke, ajo drejton shtratin që shpirti të rrjedhë lehtë, qetë dhe bukur, pastaj e rregullon komunikimin me masën, që është rëndësia kryesore e veprës dhe artistit. Shkalla e gjykimt nga kritika e artit besoj se nuk duhet të ekzistojë, por hulumtimi shkencor po.
Viti 2024, dëshiroj të jetë vit i kulturës, artit, globalizmit të artit, veprave artistike, vit që mirëpret kritikën e artit e jo goditje e pamëshirshme për kritikën e gjorë. Kritiku i artit nuk shpartallohet e as nuk vdes, ai ushqehet më shumë nga sulmet dhe inatet, xhelozitë e të tjerëve.
Më shumë festat festohesin në kohët më të vjetra, njerëzit e botës së vjetër më shumë i sillnin gëzim vetes, ndërsa ne sot turbullojmë veten, ata ndiheshin më mirë, i zhvillonin më mirë festat me atë pasuri që rridhte nga mendjeprehtësia e tyre. Ndërsa ne sot festojmë së pari me zgjidhje, arsye, llogari, limite, egoizëm, materializëm. Edhe ajrin do ta llogarisim.Lamtumirë 2023, çdo vit i ri do të jetë vetëm ndërtimi i themeleve mbi të cilat njerëzit ndoshta do ta rindërtojnë tempullin e gëzimit!
Shkruan: Ilir MUHARREMI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online