Lajm i mirë për Kosovën: Përfshihet në ligjin rekord të mbrojtjes së SHBA-së

0
67

Ditën e sotme është bërë e ditur se Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

Më e mira e kësaj është sepse në të përfshihet edhe vendi ynë.

Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon, duke u përmendur si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

Ligji i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.

“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.

Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.

Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.

Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.  Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.

Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here