I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pritet që sot të vije në Prishtinë për të zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.
Takimi pritet të zhvillohet të enjten pasdite rreth orës 16:00.
Një vizitë e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd ishte paralajmëruar pas takimit të 27 shkurtit.
Në takimin trepalësh të 27 shkurtit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk është arritur marrëveshje.
Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.
Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.
“Jam i lumtur të lajmëroj që Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të BE-së, i cili ka titullin ‘Propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sebrisë’.
Ata janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera”- kishe thënë Borrell pas takimit.
Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.
Pas takimit të 27 shkurtit, një takim trilateral është paralajmëruar edhe më 18 mars.