Miroslav Lajçak, emisari i BE-së për dialogun, ka folur për takimin që e pati me dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në platformën X, ai tha se me Vuçiq biseduan për procesin e dialogut.
“Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit”.
“Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Kosovës, Serbisë dhe të ardhmes së tyre”, ka thënë Lajçak.
Ku i fundit e përfundon mandatin më 31 janar.
Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.
Ndërsa, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.