I dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur në Londër ku është takuar me Ministrin e Europës për Britaninë e Madhe, Leo Doherty dhe Lord Stuart Peach, të dërguarin e Britanisë për Ballkanin Perëndimor.
Lajçak ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor.
“Sot pata një ditë të plotë takimesh produktive në Londër për të shkëmbyer mendime mbi Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi me Ministrin e Evropës të Britanisë së Madhe, Leo Docherty, miku im i dashur Lord Peach dhe ekipi i Zyrës së Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit”, shkroi Lajçak.
Vetëm një ditë më herët, Lajçak ka vizituar një kryeqendër tjetër europiane, Berlinin. E marta ishte intensive, siç tha diplomati sllovak, pasi ishte e mbushur me takime të ndryshme në Kancelarinë, ministrinë e Jashtme dhe Bundestagun gjerman, të ndërlidhura me procesin negociues.