Lajçak: E rëndësishme të fillojmë të përcaktojmë statusin dhe kompetencat e Asociacionit

0
177

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se është e rëndësishme që të fillohet sa më shpejt të përcaktohet statusi dhe kompetencat e Asociacionit, ndërsa ka shtuar se do t’i përmbahen modeleve ekzistuese evropiane për krijimin e tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 2 maj. Çështja e Asociacionit pritet të jetë në qendër të takimit. Ndërsa Kurti ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta trajtojë me urgjencë çështjen e të pagjeturve, ashtu siç janë dakorduar në Ohër më 18 mars.

Në një intervistë për sllovaken “Dennikn”, Lajçak ka thënë se e sheh Asociacionin si një mundësi për të qartësuar marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve që jetojnë në veri.

“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës. Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë komuniteti, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, ka thënë ai.

Lajçak, edhe pse thotë që s’do të kthehet në të kaluarën, ka deklaruar se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit, ndërsa Serbia, sipas tij, i ka shpërndarë strukturat paralele ashtu siç ishte arritur dakordimi.

“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia nga njëra anë do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë Asociacion të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, ka shtuar ai.

Përfaqësuesi i BE-së ka thënë se në takimin e 2 majit është hap i detyrueshëm të prezantohet draft-statuti për Asociacionin.

“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet draft-statuti, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, ka theksuar ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here