Lajçak dha një lajm të mirë – tërheqja e letrës nga Serbia mund të bëhet kthesë pozitive në dialog

0
118

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë të premten, më 6 shtator, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka dhënë një lajm shumë të mirë i cili, nëse dëshmohet si i vërtetë, mund të shënojë një kthesë pozitive në procesin e dialogut dhe të shpejtojë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritura në Bruksel, në shkurt të vitit 2023 dhe Aneksit të implementimit në arritur në Ohër. Fjala është për pohimin e Lajçakut se “është tërhequr” letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dërguar në BE, ku ajo e bënte të qartë se Serbia nuk e ka ndërmend e as nuk merr përsipër obligimin për të zbatuar pikat kryesore të asaj marrëveshjeje.

Ajo letër e ish-kryeministres Bërnabiq, krahas deklaratave të shpeshta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe së fundi edhe të kryeministrit aktual Vuçeviq, ishin dëshmi se Serbia nuk i ka marrë përsipër e as nuk do t’i zbatojë të gjitha obligimet nga marrëveshja për të cilën BE-ja ka insistuar se duhet të zbatohet në tërësi. Prandaj lajmi që ka dhënë Lajçaku në Prishtinë për tërheqjen e kësaj letre mund të shënojë një kthesë pozitive në proces.

Bërnabiqi kishte dërguar fillimisht një letër gjatë Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, ku kishte njoftuar se nuk i merrte përsipër disa nga obligimet nga marrëveshja. Kjo kishte nxitur irritim në BE ndërkohë që Kosova e kishte konsideruar këtë si dëshmi se Serbia është tërhequr nga Marrëveshja dhe se vetëm me nënshkrim mund të sigurohet zbatimi i saj. Pastaj, sipas burimeve në BE, Bërnabiqi kishte dërguar një letër tjetër, por jo për të tërhequr letrën e parë sa për të zbutur pak tonin e saj. Pas kësaj, për një kohë diplomatët në BE kishin bërë përpjekje të krijojnë përshtypjen se “Bërnabiqi ka dërguar një letër tjetër dhe ka sqaruar më mirë qëndrimin” duke pretenduar se  në letrën e dytë “është sqaruar qëndrimi më mirë”.

KOHA ka pasur në dispozicion të dyja letrat. Përpos përmirësimit të një gabimi të vogël gramatikor dhe heqjes së fjalisë se marrëveshja “nuk mund të konsiderohet ligjërisht obliguese” edhe letra e dytë, sikurse edhe e para, përmban qartë porositë se Serbia nuk e ka ndërmend të zbatojë pikat që për Kosovën janë kryesore nga Marrëveshja.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i implementimit, siç është përmendur në këtë deklaratë, konsiderohet i pranueshëm vetëm në kontekstin se nuk nënkupton de facto apo de jure njohjen e Kosovës. Republika e Serbisë dëshiron të sqarojë se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së e as të ashtuquajturin integritet territorial të Kosovës. Për më tepër, përshtatja me këtë deklaratë nuk paragjykon e as nuk shkel faktin se Kosova mbetet pjesë integrale e territorit të Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka shkruar në letrën e dytë Bërnabiq.

Tash Lajçaku thotë se letra është tërhequr dhe ky duhet të kuptohet si një lajm i mirë. Lajçaku edhe në një intervistë për Evropën e Lirë javën e shkuar kishte thënë se Serbia “nuk është tërhequr nga marrëveshja”./Koha   
 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here