Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për një incident që ndodhi në Prizren, ku Policia u përballë me një 34-vjeçar, i cili shpërfilli urdhrat policorë dhe tentoi të arratiset. Një zyrtar policor u sulmua nga i dyshuari dhe i njëjti përfundoi në spital – teksa i dyshuari u arrestua.
Gazeta Sinjali ka mësuar se polici qe e pësoi gjatë tentativës për ta kapur të dyshuarin është Isë Gashi.
Zyrtari policor, Gashi, u godit me veturë nga i dyshuari Behar Fejzullahu, duke pësuar lëndime trupore, për çka mori trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari fillimisht kishte kryer kundërvajtje, për çka njësia policore e urdhëroi të ndalej.
Por, i dyshuari Fejzullahu iku, duke rrezikuar pjesëmarrësit në trafik, ndërsa zyrtarët policorë menjëherë i javë vënë pas – derisa kanë arritur t’i dalin përballë.
Ky i fundit nuk është ndalur as në këtë moment, dhe e ka goditur policin Gashi me veturën e tij, thonë tutje të njëjtat burime.
Përballë kësaj situate, Policia e ka ndjekur sërish të dyshuarin, derisa i fundit e ka goditur me veturën e tij një veturë tjetër.
Situata është vënë nën kontroll pasi Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.