Një vetëaksident me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Sopijë të Suharekës, ku një burrë ka humbur jetën pasi automjeti që drejtonte ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një strukturë betoni.
Sinjali mëson se viktima është Enver Kolgeci, rreth 55-vjeçar, banor i zonës.
Ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 21:25, në rrugën që lidh Suharekën me fshatin Sopijë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Kolgeci po drejtonte një veturë të tipit Audi A4, kur në hyrje të fshatit nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, kishte dalë nga shiriti i djathtë i rrugës, kaluar në krahun e kundërt dhe përfunduar jashtë rrugës, ku është përplasur me pjesën e përparme në një ngritje betoni para një shtëpie.
Si pasojë e goditjes, shoferi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar fillimisht në ambulantën e Suharekës, e më pas në Emergjencën e Spitalit në Prizren, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, pas së cilës do t’u dorëzohet familjarëve për ceremoninë mortore.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për detaje të reja që mund të dalin nga hetimet rreth shkaqeve të plota të aksidentit./Gazeta Sinjali/