Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Dukuri tjetër negative është posedimi armëve ilegale nga qytetarët. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Poslishtë në Prizren, ku është arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është N. Dinaj, 28-vjeçar.
Dinaj ra në prangat e Policisë, pasi njësitë policore në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij.
Pas kontrollit, atij i është gjetur një sasi e marihuanës dhe ‘pako me rizlla’ – që dyshohet se i dyshuari i ka poseduar për konsum personal.
Droga iu është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku edhe e ka pranuar që është përdorues i drogës.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.