Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali raportoi dje se një rast i tillë u zbulua pasi një vajzë 16 vjeçare nga Prizreni, u raportua e zhdukur nga familja e saj para dy ditësh.
Ajo u gjet tek dje në mesditë në një shtëpi në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, ku ka qëndruar me një person të moshës madhore, me të cilin kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari, i arrestuar për këtë rast është: Sedaim Halimi, të cilit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ndaj tij është hapur rast nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunim’.
Ndryshe, vajza pasi u gjet, e njëjta u dërgua në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.