Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u zbulua pasi një vajzë 15 vjeçare nga Prizreni, u raportua e zhdukur nga familja e saj para disa ditësh dhe dyshohet se është dhunuar.
I dyshuari i parë u arrestua dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor teksa Policia ishte në kërkim edhe të një dyshuari tjetër.
Siç mësoi Sinjali, personi që përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës është Eridon Aliaj, rreth 22-vjeçar.
E Policia tashmë ka njoftuar se ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar për këtë rast. Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për Arbër Zenelin.
Aliaj dhe Zeneli dyshohen se kanë qëndruar me të miturën gjatë kohës sa u raportua e zhdukur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Pasi vajza u gjet, e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme gjinekologjike.
Të dyshuarit ndodhen në mbajtje, nën dyshimet për veprën penale “Dhunimi”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.