Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Grazhdanik të Komunës së Prizrenit, ku si pasojë e përplasjes ndërmjet një veture dhe një motoçiklete ka humbur jetën një i mitur, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 31 maj 2025, rreth orës 18:15, në rrugën “Besim Shala”, në afërsi të kryqëzimit me rrugën “Xholi i Sherifit” që lidh fshatin Atmaxhë. Aksidenti ndodhi kur një motoçikletë me rrymë, pa targa, e drejtuar nga Geltijan Shala, 17-vjeçar tentoi të futej në rrugën kryesore, ndërsa nga drejtimi tjetër po qarkullonte një veturë tip VW Golf, e drejtuar nga Kushtrim Krasniqi, 30-vjeçar.
Në momentin e ndërhyrjes së motoçiklistit në rrugën kryesore, ndodhi përplasja fatale – pjesa e përparme e veturës goditi motoçikletën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe lëndime serioze trupore për drejtuesin e motorit dhe pasagjeren në veturë, Donjeta Dervishaj, 32-vjeçar.
Pas aksidentit, motoçiklisti i mitur u dërgua me urgjencë në QKUK në Prishtinë për trajtim intensiv, ku u raportua në gjendje kritike për jetën. Fatkeqësisht, më 1 qershor 2025, rreth orës 21:30, mjekët e QKUK konfirmuan vdekjen e tij.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa rasti është iniciuar si “Aksident trafiku me pasoja fatale” dhe është nën hetim nga njësitë përkatëse.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja lidhur me këtë rast tragjik./Sinjali