Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 17-ën herë me radhë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, proces ky që po vazhdon prej më shumë se një muaji. Vazhdimi i seancës së nisur më 15 prill pritet të zhvillohet nga ora 10:30.
Kuvendi ka lëshuar njoftim zyrtar për mbajtjen e kësaj seance, që vjen pasi një ditë më parë dështoi miratimi i komisionit për votimin e fshehtë të Albulena Haxhiut nga VV si kandidate për kryeparlamentare, çka bëri që seanca të ndërpritet.
Po atë ditë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thirri në takim liderët e katër partive më të mëdha parlamentare: PDK, LDK, VV dhe AAK, për të diskutuar rreth bllokadës së krijuar.
Megjithatë, takimi nuk prodhoi asnjë marrëveshje konkrete mes partive.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kishte kërkuar nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, që të tërheqë kandidaturën e Albulena Haxhiut, duke e quajtur këtë si një hap të nevojshëm për të dalë nga kriza: “Në emër të PDK-së, kërkova që kryetari i VV-së, deputeti Kurti, ta ndryshojë kandidaten. Një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh. Jemi në situatën e njëjtë ku jemi,” u shpreh Krasniqi.
Edhe Ramush Haradinaj nga AAK e mbështeti ftesën e Presidentes dhe theksoi rëndësinë e një kandidature unifikuese për drejtimin e Kuvendit: “E kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten,” deklaroi ai.
Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e vullnetit nga partia në pushtet për të zhbllokuar procesin: “Nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë,” theksoi ai.
Pas përfundimit të takimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk dha asnjë deklaratë për mediat.
Po ashtu, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e partive jo shumicë të Kuvendit të Kosovës.
Tutje, Osmani ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e përfaqësuesve të partive politike që morën pjesë në takimin e thirrur nga ajo për të diskutuar situatën aktuale politike në vend.
Në një konferencë për media pas takimit, Osmani përgëzoi liderët për qasjen konstruktive që, sipas saj, treguan gjatë diskutimeve, pavarësisht dallimeve në qëndrime.
“Dua t’i përgëzojë liderët për qasjen konstruktive përgjatë këtij takimi, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërmuese të temave. Pra, në qoftë se mund ta them, ekziston një disponim minimal që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, paralajmëroi mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese në rast se zvarritja vazhdon: “Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë,” tha ajo, duke shtuar se ka parë vetëm një “disponim minimal” nga liderët për zgjidhje.