Kuvendi me fytyra të reja: Kandidatët që e marrin sefte mandatin e deputetit

0
217

Mbi 95% e votave për zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025 janë numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Duke u bazuar në të dhënat e fundit, pak a shumë dihet se kush do të hyjë në Kuvendin e Kosovës si deputet nga secila parti.

Këto zgjedhje kanë sjellë edhe fytyra të reja në Kuvendin e Kosovës, të cilat më herët nuk kanë qenë në politikë apo nuk kanë arritur të marrin votat për të qenë pjesë e legjislativit.

Sipas rezultateve të tanishme, nga Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë në Kuvend do të hyjnë: Rufki Suma, Blerim Gashi, Taulant Kelmendi, Fatos Geci, Hysen Durmishi, Jeton Raka, Arsim Ademi, Sylejman Meholli dhe Vigan Qorrolli.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, sefte në Kuvend do të jenë: Arian Tahiri, Arben Mustafa e Besa Kabashi-Ramaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë si deputetë të rinj Janina Ymerin, Adelina Thaqi-Metan dhe Ermal Sadikun.

AAK nuk pritet që të ketë ndonjë fytyrë të re në Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të rezultateve të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.50% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.49%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.37% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.55%.

Numërimi ka përfunduar në të gjitha vendvotimet e rregullta dhe në vendvotimet nga përfaqësitë diplomatike, ndërkaq sipas KQZ-së, janë numëruar edhe 72.83 % e votave me postë. Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta nuk ka filluar ende.

Bazuar në rezultatet e tanishme, LVV siguron 56 mandate në Kuvend, PDK 23, LDK 15, AAK 6, dhe komunitetet joshumicë 20 ulëset tjera.

Për dallim nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, në zgjedhjet e rregullta që ishin mbajtur në shkurt 2025, LVV kishte marrë 42.30% të votave apo 48 deputetë, PDK 20.95% apo 24 deputetë, LDK 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.

Rënien më të madhe del se e ka pësuar LDK-ja, për çka kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se menjëherë do ta thërras Kuvendin e LDK-së, ndonëse ende s’e ka bërë këtë.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese, shkruan Kallxo.com

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.

Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

otimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27 dhjetor.

Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë qeverinë edhe pse zgjedhjet Parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

Presidentja e kishte shpallur 28.12.2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të dhënat e numërimit mund të qasen në këtë vegëz. /Kallxo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here