Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për Specialen, me 90 vota për, 1 kundër

0
68

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë përmes së cilës i kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë që të ushtrojnë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.

Gjatë prezantimit të përmbajtjes së rezolutës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi se ajo është hartuar nga ekspertë të pavarur.

Pas leximit të përmbajtjes, shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, tha se kishte pasur dakordim vetëm që kjo pikë të vihej në rend dite, por jo edhe dakordim për përmbajtjen e saj.

Ajo kërkoi shtimin e kësaj pike: “Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha rasteve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovës, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e e paanësisë dhe barazisë para ligjit”.

Pas kësaj, Gruda u shpreh se nuk ka ndryshim të përmbajtjes dhe Kuvendi me 90 vota për e miratoi përmbajtjen e plotë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here