Anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Shukri Quni, të martën, ka dhënë dorëheqje nga ky funksion si akt moral. Si arsye ka cekur aksidentin që ka ndodhur në lokalitetin e tij, si pasojë e të cilit ka ndërruar jetë i mituri, G.Sh.
Quni në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Komunës ka bërë të ditur se është prekur thellë nga ky rast.
“Unë kam vendosur me dhënë dorëheqje morale nga ky Kuvend, duke ju kërkuar falje elektoratit tim. Këtë dorëheqje po e paraqes pa u konsultuar me askënd fare. Arsyeja e dorëheqjes është një aksident që ka ndodhur në fshatin Nashec, ku unë kam kërkuar aty shumë herë në këtë Kuvend që të vendosen vijat e bardha, të vendosen shenjat e komunikacionit”, ka thënë Quni, raporton Telegrafi.
Sipas tij, kërkesat e tij e as të njohësve të komunikacionit nuk janë marrë parasysh nga organet përgjegjëse.
Ai ka përkujtuar se në atë pjesë gjatë luftës është plagosur derisa, Remzi Ademaj – Komandant Petriti ka rënë dëshmor.
“Nuk kam pas dëshirë me pas viktima tjera aty, pos neve”, ka deklaruar Quni, duke shtuar se G.Sh. që është varrosur dje, ka qenë nxënës i tij për 4 vite.
“Prandaj në këtë Kuvend nuk mund ta marrë fjalën më apo të mbrojë interesat e qytetarëve andej nga vij unë. Faleminderit për mirëkuptim”, është shprehur Quni, raporton Telegrafi.
Kryesuesja e KK-së së Prizrenit, Antigona Bytyqi ka shprehur mirënjohje për angazhimin shumëvjeçar të Qunit, duke theksuar se “ka dhënë kontribut jashtëzakonisht të madh për qytetarët e Komunës së Prizrenit”. /Telegrafi/