Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë historike të datës 28 Nëntor, duke e cilësuar si një moment të shenjtë për shqiptarët, që është thellësisht i lidhur me fatin e kombit tonë. Përmes një potimi në llogarinë e tij në Facebook, ai uroi popullin shqiptar rastin e Ditës së Flamurit.
“Nuk dihet të ketë një komb tjetër në botë, fati i të cilit të jetë kaq i ndërthurur me një datë të caktuar siç është 28 Nëntori për shqiptarët. Ky është një aksident historik i vitit 1443, që përsëritet me ngulm për të formuar një pjesë të rëndësishme të kalendarit tonë kombëtar.”, shkroi Kurti.
Kurti përmendi se kjo datë ka filluar të ketë një kuptim të veçantë për shqiptarët, që nga ngritja e flamurit të Kastriotëve mbi Kështjellën e Krujës, duke vijuar me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Ai theksoi se ky flamur është bërë simbol i lirisë dhe unitetit kombëtar.
“Ky flamur u ngrit edhe në Vlorë, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, dhe qëllimi i shqiptarëve gjithmonë ka qenë të ruajnë integritetin dhe identitetin e kombit të tyre,” shtoi Kurti, duke përmendur gjithashtu Sami Frashërin dhe përpjekjet e tij për një Shqipëri të bashkuar.
Kurti vazhdoi me përmendjen e ngjarjeve më të rëndësishme të 28 Nëntorit, duke përfshirë lindjen e Adem Jasharit në 1955 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1998.
“Ky 28 Nëntor është më shumë se një datë, është simbol i luftës për liri dhe pavarsinë që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e saj si shtet i pavarur,” përfundoi ai.
Kryeministri në detyrë theksoi se shqiptarët janë të fokusuar në të ardhmen, për një “Nëntor të Tretë”, që do të realizohet përmes përpjekjeve të përditshme dhe përkushtimit për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës dhe integrimin në Evropë.














































